Site icon Tetova Expres

DISKUTIME MBI SFIDAT E TETOVËS NË MBROJTJEN E MJEDISIT

Sot u mbajt forumi “Identifikimi i prioriteteve mjedisore të Komunës së Tetovës”, organizuar nga Shoqata Multikultura në kuadër të projektit “Forcimi i qeverisjes lokale për tranzicionin e gjelbër – Themelimi i një Departamenti për Mjedis dhe Energji në Tetovë”, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës.

Forumi mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë të fushës së mjedisit, organizata dhe qytetarë, me qëllim identifikimin e sfidave kryesore mjedisore dhe diskutimin e zgjidhjeve konkrete për Tetovën.

Të pranishëm në forum ishin Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamed Hoxha, Kryetari i Komunës së Tearcës, DautMemishi, si dhe ekspertë të fushës së vetëqeverisjes lokale dhe mjedisit.

ARLINDA ILJAZI – MULTIKULTURA

Gjatë diskutimeve u theksuan sfidat kryesore me të cilat përballet Tetova, përfshirë ndotjen e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, mungesën e hapësirave të gjelbra dhe nevojën për koordinim më të mirë institucional.

Advertisement

Një nga pikat kyçe të forumit ishte nevoja për themelimin e një sektori të veçantë për mjedis dhe energjetikë brenda Komunës së Tetovës, si hap i rëndësishëm drejt një qasjeje më të strukturuar, profesionale dhe të qëndrueshme në trajtimin e çështjeve mjedisore dhe tranzicionit energjetik.

Ekspertët pjesëmarrës ndanë rekomandime konkrete për forcimin e kapaciteteve komunale dhe zhvillimin e sistemeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa pjesëmarrësit kontribuan me ide dhe propozime për prioritetet mjedisore në Tetovë.

Organizatorët theksuan se inputet dhe rekomandimet e dala nga forumi do të shërbejnë si bazë për aktivitetet dhe politikat e ardhshme në kuadër të projektit, me qëllim përmirësimin e menaxhimit mjedisor dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër në nivel lokal./Tv Koha/

Exit mobile version