Në periudhën 20–26 prill 2026, në kuadër të projektit CEEPUS PL-1910-02-2526 “Supply Chains Management: From the Perspective of National Industries”, u zhvilluan aktivitete në Akademinë për Studime Ekonomike në Kishinjev, Republika e Moldavisë.
Në këto veprimtari morën pjesë përfaqësues nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës: Prof. Dr. Brikend Aziri, dekan i Fakultetit Ekonomik; Prof. Dr. Vjollca Hasani Limani, prodekane për shkencë; si dhe studentet Zana Abazi dhe Era Memedi, nga cikli i parë i studimeve në programin studimor Financa dhe Kontabilitet.
Në përputhje me agjendën e projektit, u mbajt takimi i parë koordinativ i rrjetit, ku përveç UT-së, morën pjesë edhe universitete partnere nga rajoni dhe më gjerë, përfshirë: Universitetin e Tiranës (Shqipëri), Universitetin e Prishtinës (Kosovë), Universitetin e Sarajevës Lindore (Bosnje dhe Hercegovinë), Universitetin e Osijekut (Kroaci), Universitetin Edutus (Hungari), Akademinë për Studime Ekonomike të Moldavisë, Universitetin Mediteranian (Mali i Zi), Universitetin Teknologjik të Lodzit (Poloni) dhe Universitetin Perëndimor të Timisoarës (Rumani).
Në vijim të aktiviteteve, delegacioni zhvilloi një takim koordinativ edhe me Rektorin e Akademisë për Studime Ekonomike të Moldavisë, Alexandru Stratan. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përmes formalizimit të marrëveshjeve përkatëse, me fokus në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve.
Gjatë kësaj vizite, Prof. Dr. Brikend Aziri mbajti ligjëratë me temë “The Role of Human Resources in Supply Chain Management”, ndërsa Prof. Dr. Vjollca Hasani Limani ligjëroi mbi temën “Planning and Coordinating Supply and Demand in Supply Chains”. Ndërkohë, studentet Era Memedi dhe Zana Abazi morën pjesë në Simpoziumin Rinor me Pjesëmarrje Ndërkombëtare, ku prezantuan punimin e tyre me titull “Digital Money or Cash: Are We Ready for a Cashless Society?”.
Gjithashtu, në funksion të objektivave të projektit, u realizuan vizita studimore në biznese relevante, të cilat kontribuuan në thellimin e njohurive praktike dhe në fuqizimin e dimensionit aplikativ të procesit mësimor.
