Site icon Tetova Expres

Sistemi “Safe City” ka mbërritur edhe në Strugë dhe Ohër

Sezoni turistik do të nisë me gjoba për shoferët e pakujdesshëm. Ka filluar vendosja e rreth 40 kamerave në Ohër dhe Strugë, në lokacionet më kritike. Në Strugë ato do t’i regjistrojnë shkelësit e rregullave të trafikut në zonën qendrore të qytetit, në drejtim të pikës kufitare Qafë Thanë dhe Dibër, si dhe në segmentin drejt Kalishtës dhe Ohrit. Struganët kanë mendime të ndara.

“Duhet, sepse ka shumë probleme dhe prandaj është e domosdoshme të nisë në Maqedoni. Tani nuk i respektojnë shenjat, nuk i respektojnë rregullat e trafikut”, tha një banor i Strugës.

“Mendoj se zgjidhja është e mirë, por edhe më mirë do të ishte nëse zbatohet në të gjithë shtetin. Kështu të gjithë do të ndiheshim të barabartë”, tha një banor tjetër i Strugës.

“Nuk duhen kamera; së pari duhet të ndryshojë vetëdija e njeriut. Kamerat janë vetëm për t’i marrë para popullit. Unë jam kundër. Ai që ka, do të paguajë”, u shpreh banori i Strugës.

Në Ohër, kamerat do të vendosen në zonën qendrore të qytetit, në rrethrrotullimet në hyrje dhe dalje të qytetit dhe në drejtim të Manastirit, Podmollës, në drejtim të aeroportit, drejt plazheve dhe Shën Naumit.

Advertisement

“Kam përvojë personale, para pak kohësh, në Gjermani. Kam një foto më të mirë se në letërnjoftim dhe me të drejtë. Dhjetë kilometra më shumë në autostradë dhe më erdhi 150 euro në shtëpi këtu. Në Shkup për herë të parë u ndjeva i sigurt dhe vozita me kënaqësi pas ‘Safe City’”, tha një banor i Ohrit.

“Mendoj se do të kontribuojë në disiplinën e popullit, sepse Ohri është një qytet jashtëzakonisht i bukur me bukuri evropiane dhe botërore, por qytetarët janë në një nivel më të ulët në të menduar dhe duhet të ketë masa ndihmëse që të vetëpërmbahen”, tha një tjetër banor i Ohrit.

“Duhej të ishte bërë pak më herët kjo. Kjo është vërtet çmenduri nga individë të caktuar. Është vërtet një hap i mirë”, u shpreh banori i Ohrit.

Kamera janë vendosur edhe në drejtimin Ohër–Kërçovë, duke përfshirë zonat e fshatrave Gorenci, Trebenishtë, Botun dhe Novo Sellë. Nga policia në Ohër thonë se deri në aktivizimin e plotë të sistemit, kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar përmes kamerave mobile, me qëllim rritjen e sigurisë./Alsat.mk.

Advertisement
Exit mobile version