Njësia e Krimit Kibernetik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke vepruar mbi informacionin e marrë fillimisht nga FBI-ja, kreu një hetim të përbashkët të koordinuar në lidhje me një treg të paligjshëm online të njohur si “OLVX”.
Sipas të dhënave zyrtare, tregu ka funksionuar që nga korriku i vitit 2023 dhe përmbante të dhëna personale të komprometuara për mbi 2.600 përdorues dhe 1.500 shitës, ndërsa vlera totale e transaksioneve ka tejkaluar 500.000 dollarë amerikanë.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me FBI-në, sipas informacionit fillestar të marrë nga agjencia amerikane.
Mbi bazën e urdhrit gjyqësor të Gjykatës Themelore Tetovë, policia realizoi bastisje në fshatin Reçicë e Madhe, Komuna e Tetovës, te të dyshuarit 20 dhe 23 vjeçar, shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të cilët ekziston dyshimi se janë administratorët e tregut. Ata u kapën në vendngjarje duke kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Gjatë kontrollit u konfiskuan kompjuterë, laptopë dhe telefona, të cilët do të analizohen për të siguruar provat e nevojshme për procedurën penale.
Sektori për krim kompjuterik ka njoftuar se hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave shtesë, në përputhje me ligjet në fuqi.
