Site icon Tetova Expres

Vazhdojnë kërcënimet me bombë në Kroaci: Evakuohen shkolla të shumta në Zagreb

Disa shkolla fillore dhe të mesme në Zagreb kanë marrë kërcënime të reja për bomba mëngjesin e sotëm. Sipas dëshmive të qytetarëve, disa objekte arsimore në rajonin e Zagrebit janë evakuuar menjëherë. Policia e Zagrebit është njoftuar për denoncimet dhe zyrtarët policorë ndodhen në teren duke bërë kontrollet e nevojshme.

Ky është një vazhdimësi e valës së kërcënimeve të rreme që nisi dje, e cila shkaktoi evakuime në shkolla të shumta në Zagreb, Split, Rijeka dhe Dubrovnik, si dhe në ndërtesën e Administratës së Qytetit të Zagrebit dhe qendrën tregtare “Arena Centar”. Kërcënime të rreme u dërguan gjithashtu në adresat e redaksive të mediave “Index” dhe “24sata”.

Vlerësohet se mbi 500 denoncime të rreme janë marrë brenda pesë ditëve të fundit në adresa të shkollave, kopshteve, qendrave tregtare dhe objekteve të tjera në mbarë Kroacinë, përfshirë edhe aeroportin e Splitit.

​Ministri i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar për identifikimin e autorëve, nuk deshi të jepte detaje që mund të ndihmonin ata që qëndrojnë pas këtyre veprimeve të mbrohen më tej.

Ai konfirmoi se deri më tani të gjitha raportimet kanë rezultuar të rreme, por theksoi se policia nuk do të anashkalojë asnjë denoncim që lidhet me sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve.
​Ministri përsëriti se kërcënimet vijnë nga adresa jashtë shtetit, prandaj hetimi përfshin bashkëpunimin me shërbimet partnere, policitë e vendeve të tjera dhe organet gjyqësore ndërkombëtare. Gjithashtu, ai njoftoi se për momentin nuk ka plane për të kaluar në mësimin online për shkak të këtyre kërcënimeve.

Advertisement
Exit mobile version