Gjithsej 132 aksidente në punë janë evidentuar gjatë vitit të kaluar sipas raportit të publikuar nga Shoqata Maqedonase për Mbrojtje në Punë me rastin e 28 prillit, Ditës Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ku theksohet se 31 nga këto raste kanë përfunduar me vdekje.
Shumica e viktimave ishin burra, gjithsej 26 persona, ndërsa pesë ishin gra, ku sipas strukturës moshore numri më i madh i vdekjeve u shënua te personat e moshës mes 25 dhe 34 vjeç.
Sa i përket të lënduarve, për 23 punëtorë nuk ka të dhëna për moshën, ndërsa 20 të lënduar i përkasin grupmoshës 35-44 vjeç, të ndjekur nga grupmoshat 45-54 dhe 55-64 vjeç me respektivisht 19 dhe 18 të lënduar. Industria përpunuese mbetet sektori me numrin më të lartë të aksidenteve me 33 raste, e ndjekur nga ndërtimtaria me 15 raste, administrata publike dhe mbrojtja me 12 raste, si dhe veprimtaritë e shtëpive si punëdhënës me 11 raste.
Shoqata ka bërë një pasqyrim të veçant të ngjarjeve tragjike që shënuan vitin, duke përfshirë zjarrin në kabarenë “Puls” në Koçan, duke vënë në dukje se ky rast theksoi rëndësinë e respektimit të rregulloreve të sigurisë, menaxhimit të rreziqeve dhe mbikëqyrjes efektive inspektuese. Sipas tyre, analiza e lëndimeve duhet të përdoret si mjet për të mësuar dhe jo për të kritikuar, pasi besojnë se çdo aksident mund të parandalohet me planifikim të duhur, trajnim adekuat dhe vigjilencë të vazhdueshme. Ata porosisin se siguria dhe shëndeti në punë nuk janë zgjedhje por obligim, sepse çdo punëtor ka të drejtë të kthehet në shtëpi i sigurt dhe çdo punëdhënës ka detyrën ta garantojë këtë mjedis të sigurt.
