Komisioni i disiplinës në kuadër të FFM-së pas incidentit në ndeshjen e xhiros së 28-të mes Bashkimit dhe Struga Trim Lum, ka pezulluar terrenin në Kumanovë. Ndeshjen e radhës kundër Vardarit ekipi Bashkimi do ta zhvillon në stadiumin e Gostivarit
Incidenti që ndodhi në ndeshjen e javës së 28-të në Kumanovë mes Bashkimit dhe Struga Trim Lum, për skuadrën vendase ndodhi që të jetë fatale, pasi organet e FFM-së, kanë pezulluar stadiumin e Bashkimit për katër ndeshje si vendas.
Kjo do të thotë se Bashkimi dy ndeshjet si vendas deri në fund të këtij kampionati dhe dy të tjera në kampionatin e ardhshëm duhet t`i zhvillojë jashtë Kumanovës.
Pikërisht në javën e 30-të Bashkimi, është nikoqire e Vardarit.
Kryetari i Bashkimit, Burak Hyda, në një prononcim për Tv Koha, lidhur me ndeshjet që do t`i zhvillojnë si nikoqir jashtë Kumanovës, thotë se preferojnë Gostivarin.
“Ndeshjen me Vardarin dhe ndeshjet që do t`i kemi pas dënimit që morëm, katër ndeshje jashtë fushës, 90% do t`i luajmë në Gostivar. Sipas gjitha gjasave, vendimi u mor pak si shpejt, por s’kemi çka të bëjmë. Ne ishim mllefosur me rezultatin, ishim nervoz, kishim pak muhabet mes kryesisë së dy palëve. Po s’kemi çka të bëjmë, tani po e paguajmë shtrenjtë’’ deklaroi Burak Hyda
Duke u ndalur për raportet mes KF Bashkimi dhe organeve të FFM-së Burak Hyda thotë se ato janë të mira, duke pranuar dënimin e shqiptuar nga FFM-ja për incidentin në Kumanovë.
‘’Me organet e Federatës i kemi punët mirë, por s’kemi çfarë të bëjmë se ishte faji te na. A duheshe me e bë këtë gjest, nuk u deshtë me bë se e kishim një ndeshje me Vardarin, që vendos për neve me mbet në ligë që ti iknim balotazhit‘’ tha Hyda.
Klubi i futbollit Bashkimi pas javës së 29-të pozicionohet në vendin e gjashtë me 40 pikë dhe pothuajse e ka të sigurt mbijetesën, por katër sfidat e fundit kundër Vardarit, Arsimit, Makedonija Gj.P dhe Pelisterit i luan jashtë Kumanovës.
