Site icon Tetova Expres

CHAMPIONS: GJYSMËFINALE SPEKTAKOLARE ME 9 GOLA NË PARIS!

Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve mes PSG dhe Bajern Mynih në “Parc des Princes” në Paris, ka dhuruar një shfaqje spektakolare  të rrallë për futbolldashësit, në një ndeshje të pabesueshme që u mbyll me rezultatin  5-4.

 Me plot 9 gola të shënuar në total, kjo sfidë regjistrohet zyrtarisht si ndeshja gjysmëfinale me më shumë gola në historinë e formatit modern të Ligës së Kampionëve që nga viti 1992.

Deri më sot, asnjë gjysmëfinale e këtij kompeticioni nuk kishte prodhuar një festival të tillë ofensivë, duke lënë pas ndeshje si fitorja 5-2 e Liverpulit ndaj Romës në vitin 2018, fitorja e Ajaksit 5-2 ndaj Bajernit në vitin 1995, apo suksesi 4-3 i Mançester Siti-t kundër Real Madridit në vitin 2022.

 Për të gjetur një sasi kaq të madhe golash në këtë fazë, duhet të kthehemi 66 vite pas në epokën e vjetër të Ligës së Kampioneve, atëherë kur gjermanët e Eintracht Frankfurt mposhtnin skocezët e Renxhers me shifrat 6-3 në vitin e largët 1960.

 Kjo  përballje në historinë e Ligës së Kampionëve zë një vend nderi mes ndeshjeve më “të çmendura”.

Advertisement

 Kur analizojmë fazën me eliminim direkt, aty ku tensioni është maksimal dhe skuadrat janë gjigante, kjo betejë e “Parc des Princes” rreshtohet mes më të mëdhave, duke qëndruar shumë afër rekordit absolut nokaut që mbahet nga vetë Bayern Munih, me atë fitore historike dhe poshtëruese 8-2 kundër Barcelonës në çerekfinalen e vitit 2020.

Shënimi i nëntë golave mes dy pretendentëve kryesorë për titullin, duke përfshirë pesë gola vetëm në pjesën e parë, thyen çdo lloj logjike dhe rregulli të pashkruar të futbollit të këtij dekade.

 Është ky lloj i rrallë i kaosit total ofensiv dhe dëshirës për të luajtur hapur nga të dyja anët, që e bën këtë takim të fund-prillit një material klasik që do të citohet për dekada me radhë.

 Në këtë përballje çdo gjë mbetet e hapur, kurse na pret edhe ndeshja e kthimit më 6 maj në Munih.

Advertisement
Exit mobile version