Site icon Tetova Expres

Rritet numri i dhunës mes nxënësve, institucionet hedhin përgjegjësin te prindërit

Opinioni u trondit nga lajmi se një vajzë e klasës së gjashtë, ka qenë pjesë e dhunës nga bashkëmoshataret e saja. Ajo është rrahur, djegur me cigare dhe e gjithë skena është inçizuar nga shoqet e klasës. Në këtë rast është përfshirë edhe Prokuroria Publike, e cila po vepron sipas udhëzimeve të prokurorit publik.

Për këtë ngjarje, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se 14 persona janë thirrur për intervistë në lidhje me rastin e dhunës mes bashkëmoshatarëve ndaj një nxënëseje të klasës së gjashtë në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Mes të thirrurve janë edhe prindërit e tre nxënëseve të shkollës që dyshohet se kanë keqtrajtuar shoqen e klasës.

Toshkovski tregoi se hetimi është duke vazhduar dhe se mund të ndërmerren veprime të përshtatshme procedurale për disa nga të thirrurit. Në rastin është përfshirë edhe Prokuroria Publike, e cila po vepron sipas udhëzimeve të prokurorit publik kompetent. Toshkovski në veçanti theksoi rolin e prindërve në edukimin dhe sjelljen e fëmijëve.

“Po flasim për të mitur, kështu që publiku do të informohet me kujdes dhe me detaje të kufizuara. Është e nevojshme që të gjithë aktorët shoqërorë të përfshihen në trajtimin e këtij problemi, i cili është i pranishëm, megjithëse jo gjithmonë i dukshëm për publikun”, tha ministri Toshkovski.

Ai theksoi se policia ka gjithashtu fokus të vazhdueshëm në dhunën mes bashkëmoshatarëve, megjithëse temat që lidhen me dhunën në familje kohët e fundit kanë dominuar opinionin. Sipas tij, zgjidhja e rasteve të tilla kërkon një qasje të koordinuar dhe sistematike nga të gjitha institucionet përkatëse, arsimore, sociale dhe të sigurisë. Toshkovski në fund tha se institucionet duhet të punojnë së bashku në edukimin, parandalimin dhe përcaktimin e qartë të kufirit mes sjelljes së pranueshme dhe të papranueshme te të rinjtë.

Advertisement

Nga ana tjetër, edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre. Janevska thotë se është e njohur me rastin e dhunës nga bashkëmoshatarët në shkollën në Gjorçe Petrov.

Ajo shton se shkolla tashmë ka ndërmarrë veprime, e ka raportuar në polici dhe shërbimet sociale, dhe ka marrë edhe vetë masa.

“Më vjen keq që po përballemi me raste të tilla. Ministria merr informacione për ngjarje të tilla dhe merr masa”, tha Janevska.

Ministrja thotë se në bashkëpunim me kompanitë dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit, ata po përgatisin vazhdimisht udhëzime dhe manuale se si të veprojnë në raste të tilla.

Sipas saj, në këtë rast, është ndjekur procedura e duhur dhe shkolla e ka raportuar incidentin në polici dhe shërbimet sociale, të cilat po marrin vetë masa.

Advertisement

Ajo beson se të gjitha institucionet përgjegjëse mund të bëjnë gjithçka siç duhet, por pa ndihmën e prindërve, nuk mund të ketë sukses.

Kujtojmë se së fundmi janë regjistruar disa raste të dhunës midis të rinjve dhe nxënësve në shkollat e vendit.

Exit mobile version