Enti Shtetëror për Statistika për muajin prill njoftoi se inflacioni vjetor është 5.7%, që paraqet një rritje të ndjeshme në krahasim me muajin e kaluar kur harxhimet jetësore ishin 4.9%, kurse në shkurt 2.9. Kjo do të thotë se inflacioni vjetor, për vetëm dy muaj, thuajse është dyfish më i lartë.
Sipas të dhënave më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni në prill të vitit 2026, krahasuar me marsin, arriti në 1,3%, ndërsa indeksi i kostos së jetesës, krahasuar me prillin e vitit të kaluar, shënoi rritje prej 5,7%.
Çmimet me pakicë, në baza vjetore, janë më të larta për 5,0%.
Goditja më e fortë mujore është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë rritur për 10,1%.
Qeveria shpesh thekson se Maqedonia ka ndër çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, por shifrat e prillit tregojnë se kjo nuk mjafton për të ulur presionin e përgjithshëm mbi çmimet.
Inflacioni nuk matet vetëm në pompën e benzinës. Ai ndihet në market, në biletën e autobusit, në faturat e shërbimeve dhe në zgjedhjet e përditshme mes asaj që familja dëshiron të blejë dhe asaj që realisht mund të përballojë.
Në krahasimin vjetor, barrën më të madhe e mbajnë sërish ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat, sipas raportimeve mediatike të bazuara në të dhënat statistikore, janë shtrenjtuar për 8,0%.
Në katër muajt e parë të vitit, inflacioni i përgjithshëm ka arritur në 4,2%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë më të shtrenjta për 6,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pikërisht kjo është pjesa e inflacionit që qytetarët nuk mund ta shtyjnë apo ta shmangin, sepse ushqimi nuk është luks, por baza e buxhetit familjar.
Problemi qëndron në faktin se çmimet po rriten pikërisht aty ku njerëzit nuk kanë zgjedhje.
Inflacioni i prillit riktheu një të vërtetë të vjetër dhe të pakëndshme në qendër të debatit publik: qytetarët nuk jetojnë me mesatare statistikore, por me fatura, arka marketesh, qese pazari dhe paga mujore.
Kur kostoja e jetesës rritet më shpejt sesa ndjesia se situata është nën kontroll, statistikat pushojnë të jenë vetëm shifra dhe bëhen përvojë e përditshme.
