Tetë ditë paraburgim i janë caktuar shkupjanit që dogji dy automjete diplomatike para Ambasadës së Bullgarisë. Shkupjani 44-vjeçar, siç raportuan disa media, e ka pranuar veprën në polici. I gjithë akti është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ndërsa autori është identifikuar dhe arrestuar po atë ditë kur e kreu veprën. Incidenti u dënua si nga autoritetet maqedonase, ashtu edhe nga ato bullgare.
Gjykata Themelore Penale në Shkup, me kërkesë të prokurorit kompetent, i caktoi masën e paraburgimit prej 8 ditësh 44-vjeçarit nga Shkupi, i cili pardje bleu benzinë, spërkati dhe dogji dy automjete diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Autori i zjarrvënies, i cili është filmuar nga kamerat e sigurisë, në kuadër të hetimit dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Incidenti në fjalë tensionoi raportet Shkup – Sofje.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut që në të njëjtën ditë e dënoi ashpër “aktin vandal dhe të papranueshëm të djegies së automjeteve me status diplomatik” në afërsi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Incidentin e dënoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, duke e cilësuar si “rezultat të gjuhës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes”, ndërsa kritikoi reagimin e pamjaftueshëm institucional në raste të mëparshme.
Ndërkaq, Fondacioni bullgar “Maqedonia” ka paralajmëruar se të dielën do t’i bllokojë tre pikat kufitare ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bllokada, siç njoftuan nga Fondacioni, është koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bullgarisë dhe do të zgjasë dy orë, nga ora 11:00 deri në 13:00.
Kjo vjen pasi para dy ditësh u dogjën dy automjete diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup – një veprim që nga fondacioni u vlerësua si një formë terrorizmi.
Qëllimi i bllokadës, siç shtojnë nga Fondacioni bullgar “Maqedonia”, nuk është pengimi i qytetarëve për të kaluar kufirin, por t’i dërgohet një mesazh kryeministrit Hristijan Mickoski se pushteti në Shkup nuk mund të vazhdojë me, siç thonë ata, represionin./Tv Koha/
