Site icon Tetova Expres

KONFERENCË LIGA: FC EUROPA KUNDËRSHTARI I PARË I SHKËNDIJËS

FC Europa nga Gjibraltari është kundërshtari i Shkëndijës në raundin e parë të UEFA Konferencë Liga. Sileksi përballet me Dinamo Minsk Ndeshjet e para zhvillohen më 9 korrik. Në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve, Vardari përballet me finlandezët e Kups.

 Shorti i hedhur dje në Nyon të Zvicrës përcaktoi që Shkëndija në raundin e parë kualifikues të përballet me skuadrën Europa FC nga Gjibraltari.

Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 korrik në Gjibraltar, ndërsa revanshi është paraparë të luhet më 16 korrik në Shkup.

 Europa FC është një klub me traditë mbi 100-vjeçare dhe një emër i njohur në futbollin e Gjibraltarit. Kjo do të jetë pjesëmarrja e tyre e 11-të në garat evropiane, ndërsa në të kaluarën janë përballur edhe me skuadra shqiptare si Prishtina dhe Dukagjini. Arritja e tyre më e madhe në Evropë mbetet kualifikimi në raundin e dytë eliminator të garave kontinentale.

 Ndërkohë në mëngjes UEFA ka shkurtuar listën e ekipeve për rivalët e mundshëm të Shkëndisë në xhiron e dytë, nëse e eliminon skuadrën nga Gjibraltari. Në listë, ku Shkëndija është bartëse, janë DAC e Sllovakisë, fituesi i ndeshjes Deçiqi i Malit të Zi dhe Liepaja Letoni, Paksi i Hungarisë, Bravo e Sllovenisë dhe fituesi i ndeshjes CSKA Sofje dhe Deri Siti Irlandë.

Advertisement

 Sileksi në xhiron e parë të Konferencë Liga do të përballet me skuadrën bjelloruse Dinamo Minsk, kurse Vardari në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve do të përballet me skuadrën finlandeze të Kups.

 Ndeshjen e parë Vardari do ta zhvillojë në Shkup më datë 7-8 korrik, ndërsa ajo kthyese është paraparë të zhvillohet në Finlandë me datë 14-15 korrik.

 Shaban Sinani – TV Koha
Exit mobile version