Kërkesë zyrtare për informacion mbi shpërndarjen e fondeve të UEFA Hat Trick dhe FIFA Forward, zhvillimin e talenteve, projektet sociale dhe investimet infrastrukturore (2024–2026)
Drejtuar: Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, z. Masar Omeragiq
Bordit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM)
I nderuar President,
Të nderuar anëtarë të Bordit Drejtues,
Po ju drejtohem si ish-kryetar i klubeve të futbollit KF Rrufeja dhe KF Shkëndija, si dhe si person i angazhuar prej shumë vitesh në zhvillimin e futbollit, me kërkesë për transparencë të plotë lidhur me fondet e marra dhe të shpërndara nga FFM gjatë periudhës nga viti 2024 deri më sot.
Kjo kërkesë nuk ka karakter politik dhe nuk drejtohet kundër kryesisë aktuale apo ndonjë kryesie të mëparshme të FFM-së. Qëllimi i saj është transparenca institucionale, llogaridhënia dhe sigurimi që fondet e dedikuara për zhvillimin e futbollit të përdoren në përputhje me qëllimet për të cilat janë ndarë.
Me këtë kërkoj që të më vihen në dispozicion ose të publikohen këto informacione:
Shuma totale e fondeve të marra nga UEFA HatTrick dhe FIFA Forward nga 1 janari 2024 deri më sot.
Ndarja e detajuar e fondeve sipas kategorive:
zhvillimi i talenteve të rinj;
grassroots dhe futbolli amator;
projektet sociale;
infrastruktura sportive;
edukimi i trajnerëve dhe arbitrave;
kategori të tjera.
Lista e plotë e përfituesve dhe shumat e ndara për secilin përfitues.
Lista e klubeve amatore, akademive të futbollit, shkollave sportive dhe organizatave të tjera që kanë përfituar mbështetje financiare.
Lista e klubeve profesionale që kanë përfituar fonde zhvillimore dhe baza mbi të cilën është marrë vendimi për këto ndarje.
Vendimet e Bordit Drejtues, Komisionit Financiar dhe organeve të tjera kompetente të FFM-së lidhur me shpërndarjen e këtyre fondeve.
Raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm për fondet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Kriteret e përdorura për përzgjedhjen e përfituesve dhe shpërndarjen e mjeteve.
Gjithashtu kërkoj sqarim publik mbi investimet infrastrukturore të realizuara në komunat dhe rajonet më pak të zhvilluara të Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në lidhje me:
fushat sportive;
qendrat stërvitore;
programet për të rinjtë;
projektet sociale dhe komunitare;
investimet në zonat rurale dhe rajonet me mungesë infrastrukture sportive.
Duke pasur parasysh se fondet e UEFA-s dhe FIFA-s janë të dedikuara për zhvillimin afatgjatë të futbollit, konsideroj se ekziston interes i ligjshëm publik për të ditur se si janë shpërndarë këto mjete dhe cilat klube, akademi, komunitete dhe të rinj kanë përfituar prej tyre.
Ju lutem që përgjigjja të më dorëzohet brenda afatit të arsyeshëm sipas procedurave dhe parimeve të transparencës dhe llogaridhënies.
Me respekt,
Samet Rasimi
Ish-kryetar i KF Rrufeja (2009–2014)
Ish-kryetar i KF Shkëndija
Republika e Maqedonisë së Veriut
