Site icon Tetova Expres

TETË VITE NGA NËNSHKRIMI I MARRËVESHJES SË PRESPËS

Më 17 qershor 2018, në fshatin Nivici, në brigjet e Liqenit të Prespës në Greqi, Shkupi dhe Athina nënshkruan marrëveshjen historike me të cilën u tejkalua kontesti shumëvjeçar për emrin. Me këtë u hap rruga për integrimin euroatlantik dhe shteti, me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut, u bë anëtari i 30-të i NATO-s. Tetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë karakterizohen nga përparime, por edhe nga sfida në zbatimin e obligimeve të marra.

Në këtë ditë, tetë vjet më parë, në brigjet e Liqenit të Prespës, Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen që i dha fund kontestit tredekadësh për emrin dhe hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mbetet një nga marrëveshjet diplomatike më të rëndësishme në historinë e re të Ballkanit. Edhe pse nuk i përmbushi të gjitha pritshmëritë që lidhen me integrimin evropian dhe nuk arriti t’i tejkalojë ndarjet e brendshme politike, ajo i mundësoi vendit anëtarësimin në NATO dhe i dha fund një mosmarrëveshjeje që për dekada kishte bllokuar përparimin e tij ndërkombëtar.

Mbështetësit e marrëveshjes e konsiderojnë atë si shembull të guximit politik dhe diplomacisë së suksesshme, ndërsa kritikët vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe sot. Megjithatë, mbetet fakt se Prespa u bë një model i njohur ndërkombëtarisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërlikuara përmes dialogut dhe kompromisit.

Tetë vjet më vonë, marrëveshja vazhdon të nxisë debate në shoqërinë në Maqedoninë e Veriut, por edhe të kujtojë se çështjet më të vështira politike mund të zgjidhen kur ekziston vullneti për marrëveshje dhe vizion për të ardhmen./Tv Koha/

Advertisement
Exit mobile version