Për vitin 2027 kanë mbërritur mbi 700 nisma për kapacitete të reja nga burime të ripërtëritshme të energjisë. Ministrja Bozhinovska thekson se tani rolin kyç do ta ketë MEPSO, e cila jep lejet për lidhje. A kemi kapacitet të mjaftueshëm?
Interesi për ndërtimin e centraleve me burime të ripërtëritshme nuk po ndalet. Për këtë vit, Ministria e Energjisë ka dhënë dritë jeshile për shumë projekte që do të sillnin kapacitet shtesë prej 4 gigavatësh, si dhe sisteme baterike me fuqi të instaluar prej 2 gigavatësh. Për vitin 2027 tashmë kanë mbërritur mbi 700 nisma të reja. Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, thekson se tani rolin kryesor do ta ketë kompania shtetërore “Sistemi Elektrotransmetues i Maqedonisë” (MEPSO), e cila duhet të mundësojë lidhjen e kapaciteteve.
“Ata që tashmë janë përfshirë në planin e ndërtimit, MEPSO duhet të japë variantin për lidhje, investitori duhet të përgjigjet nëse varianti i përshtatet, nëse është dakord me çmimin. Pastaj, MEPSO duhet të japë miratimin për lidhje. Sigurisht, teknikisht është e mundur që ndonjë centralë të mos mund të lidhet dhe për këtë informon MEPSO”, tha Bozhinovska.
Ekspertët e energjisë shpesh kanë paralajmëruar se tranzicioni drejt burimeve të ripërtëritshme është më i shpejtë se ndërtimi i rrjetit të transmetimit. Ky nuk është problem vetëm tek ne – në maj gjysma e vendit mbeti pa energji për një orë, dhe nga MEPSO shpjeguan se problemi ishte rajonal “për shkak të tranzitit dhe konsumit të ulët të energjisë elektrike gjatë orëve të natës dhe fundjavave”.
Bozhinovska sqaroi se tani 58 për qind e kapaciteteve të instaluara janë nga burime të ripërtëritshme, çka është mbi kërkesën evropiane që ato të jenë 50 për qind. Ky trend po ul çmimin e energjisë elektrike kudo në botë, madje edhe tek ne.
“Kapacitete nga burime të ripërtëritshme po ndërtohen kudo. Tani çmimi i energjisë është i ulët, kemi edhe çmime zero”, theksoi ministrja.
Familjet nuk do të furnizohen plotësisht me “energji shtetërore”
Prodhimi më i madh i energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme mund të jetë zgjidhje shpëtimtare edhe për çmimin e energjisë nga viti i ardhshëm, pasi kemi marrë përsipër që nga janari 2027, centralet shtetërore të plotësojnë nevojat e familjeve për energji elektrike me 70 për qind, ndryshe nga tani kur ka mbulim 100 për qind. Energjia nga “Elektrostopanstvo” shtetëror tani ofrohet me tender tek EVN Home, por ajo zakonisht është më e ulët, duke mbrojtur popullatën. Bozhinovska pret që formula e re të mos nënkuptojë rritje të çmimit të energjisë për familjet, por që burimet e ripërtëritshme mund të sjellin edhe çmime më të ulëta.
Për shkak të rënies së çmimeve, Bozhinovska mendon se duhet të mendohet edhe për ndryshimin e sistemit me tarifat bllok.
“Vendimin e merr Komisioni Rregullator për Energjetikë. Por, nëse na pyesin, qëndrimi ynë është ‘pro’ për gjithçka që nënkupton çmim më të ulët për qytetarët. Blloqet u futën kur çmimi i energjisë ishte 700-800 euro për megavat-orë, ndërsa tani kemi çmime zero”, tha ministrja. përcjell Zhurnal.mk .
