Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nga Strumica me rastin e ditëlindjes së partisë, porositi se po nis një “kapitull i ri” për Maqedoninë, me një vizion të qartë për një shtet të mundësive dhe jo të arsyetimeve. Në fjalimin e tij, ai theksoi se vendi duhet të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, por me garanci të qarta dhe pa lëshime për identitetin kombëtar.
Në tubimin në Strumicë me rastin e 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së, të organizuar nën moton “Maqedonia përshpejton, detyrimi ynë”, Kryeministri dhe lideri i partisë në pushtet, Hristijan Mickoski, u dërgoi mesazh institucioneve evropiane se pret garanci të qarta se nuk do të ketë kushte të reja bilaterale.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Sillni një përfundim se nuk ka më çështje bilaterale, se identiteti shumë shekullor maqedonas, kultura, tradita, zakonet dhe gjuha janë fakte të pandryshueshme. Nuk ka pazar me identitetin tonë maqedonas”
Kryeministri paralajmëroi rikonstruktim të Qeverisë dhe tha se do të ketë ndryshime për shkak të dobësive të evidentuara në punë. Sipas tij, ndryshimet fillojnë me rikonstruimin e Qeverisë.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Nuk do të toleroj dehjen nga privilegjet që i ofron pushteti. Pragu im i tolerancës është i lartë, por kjo nuk do të thotë se do të toleroj papërgjegjshmërinë. Një pjesë e funksionarëve janë larguar nga qytetarët dhe janë bërë të paarritshëm kurse çdo devijim do të evidentohet dhe sanksionohet”
Mickoski dërgoi mesazhe të ashpra ndaj opozitës, duke e akuzuar për politika të dëmshme dhe kriminalitet, duke theksuar se nuk do të ketë kompromise me krimin.
U prononcua edhe për zgjedhjet e parakohshme, duke thënë se opozita ka frikë prej tyre. Sipas tij, pushteti është i gatshëm për çdo skenar./Tv Koha/
