Shkruan: Bahri Cani
Amerika dhe Irani kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për t’i dhënë fund luftës – më herët se sa ishte planifikuar. Më parë flitej se marrëveshja do të nënshkruhet të premten në Zvicër. Por Presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se e ka nënshkruar marrëveshjen, në Pallatin e Versajës.
Presidenti francez Emmanuel Macron e kishte ftuar atje pas përfundimit të samitit të G7 në Évian, Francë. Ministria e Jashtme iraniane deklaroi se edhe Presidenti iranian Massoud Peseshkian e ka nënshkruar dokumentin. Ishte një nënshkrim elektronik dhe një ceremoni nënshkrimi “nuk kishte vend”.
Sipas Pakistanit, i cili po ndërmjetëson në konflikt, marrëveshja kornizë tani hyn në fuqi me “efekt të menjëhershëm”. Teherani do ta “rihapë menjëherë” Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Amerika do të heqë menjëherë bllokadën detare të porteve iraniane, njoftoi kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif gjatë natës në platformën X.
Marrëveshja më parë ishte nënshkruar edhe nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance dhe kryenegociatori iranian në mënyrë digjitale.
Megjithatë, shumë pyetje mbeten të hapura. Tani nuk dihet nëse ceremonia e planifikuar do të zhvillohet edhe në Zvicër të premten apo nëse samiti atje do të përdoret për negociata të mëtejshme. Sidoqoftë, marrëveshja u prit me lehtësim të madh ndërkombëtarisht.
E paqartë deri në fund mbetet edhe çështja e programit bërthamor iranian dhe nëse Izraeli do të respektojë marrëveshjen. Mes Trumpit dhe Netanjahut ka pasur disa dallime kohët e fundit.
