Lidhur me procesin e riformatimit të paralajmëruar të Qeverisë, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme janë paraparë takime me partitë politike ZNAM dhe VLEN, bëjnë të ditur burime nga Qeveria.
Megjithatë, nga Qeveria theksojnë se bisedimet aktualisht ndodhen në një fazë të hershme dhe paraqesin një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, për këtë arsye nuk publikohen detaje shtesë kadrovike. Ata shtojnë se opinioni do të informohet plotësisht sapo të arrihen marrëveshje konkrete dhe zgjidhje përfundimtare.
Udhërrëfyesi kryesor për ndryshimet e ardhshme, shtojnë nga Qeveria, janë parimet dhe mesazhet publike që kryeministri Hristijan Mickoski i përcolli gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE-së në Strumicë.
Ai atëherë theksoi se po i ndjek me kujdes gjendjet në institucionet shtetërore dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të kuadrove.
Mickoski deklaroi se tek ai kanë arritur vërejtje për mungesën e qasshmërisë së disa ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai porositi se i evidenton me kujdes të gjitha devijimet, se do të ketë ndryshime dhe se nuk do të tolerojë dehjen nga privilegjet që ofron pushteti.
Po ashtu, Mickoski theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer popullit dhe jo për të shijuar privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht pranë qytetarëve.
Ai nënvizoi se nuk do të tolerojë papërgjegjshmëri, neglizhencë dhe shmangie nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pavarësisht funksionit që ushtron dikush. Kryeministri gjithashtu deklaroi se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe vlerëson se kushdo që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet ta rishqyrtojë me ndershmëri vendin e tij në ekip.
