Kuqezinjtë tetovar në kuadër të përgatitjeve më Slloveni, dje në Lubjanë kanë zhvilluar ndeshjen e dytë kontrolluese, kësaj radhe kundër Hajdukut të Splitit.
Takimi përfundoi me fitore 4:0 të skuadrës kroate, ndonëse se situata në fushë nuk pasqyronte plotësisht këtë rezultat të thellë.
Lojtarët e Hajdukut pothuajse kanë shfrytëzuar të gjitha raste e krijuara, ndërsa nga ana tjetër futbollistët kuqezi edhe pse krijuan disa raste ato nuk i shfrytëzuan.
Trajneri Artim Pollozhani shfrytëzoi edhe këtë përballje për t’u dhënë minuta sa më shumë futbollistëve, duke vazhduar procesin e ndërtimit të skuadrës dhe implementimit të ideve tekniko-taktike, në një periudhë kur ekipi po kalon ngarkesa të mëdha fizike.
Përgatitjet e Shkëndijës në Slloveni vazhdojnë sipas programit, kështu që ndeshja e tretë kontrolluese është caktuar për datën 27 qershor kundër NK Celje.
Ndërkohë që nga klubi i futbollit Shkëndija njoftojnë se kanë arritur marrëveshje me klubin rumun Universitatea Craiova për transferimin e futbollistit xhamajkan, Ronaldo Vebster.
Pas negociatave mes dy klubeve, është arritur akordi për dëmshpërblimin e kartonit të lojtarit, i cili tashmë do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin rumun.
