Site icon Tetova Expres

BDI PROTESTON TË PREMTEN PARA KOMUNËS, SHKAK EMRAT E RRUGËVE

Bashkimi Demokratik për Integrim ka thirrur protestë për ditën e premte më 26 qershor, në sheshin e Tetovës. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese solli vendim me të cilin i shfuqizoi emrat e rrugëve të vitit 2007. Marshi protestues do të fillojë në ora 20:00 në sheshin e qytetit. Ndërkaq mbrëmë dhe sot vetëm se kanë filluar të vendosen afishe të ndryshme rrugëve të Tetovës me emrat e rrugëve, se si ishin dhe si u bënë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Bajram Rexhepi nga BDI ka njoftuar se vendimi për protestë u mor mbrëmë, siç thotë pas heshtjes së Komunës së Tetovës ndaj kërkesës së tyre për seancë urgjente ku kërkuan rimiratim të vendimit për emrat e rrugëve dhe pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo nuk është vetëm çështje emrash rrugësh. Është tentativë për të mohuar Rilindasit, historinë, trashëgiminë dhe çdo të arritur shqiptare të ndërtuar me sakrificë në 20 vitet e fundit. Tetova është djepi i kulturës, arsimit dhe krenarisë shqiptare. Këtu kanë nisur dhe do të nisin lëvizjet që i çojnë shqiptarët përpara. Prandaj, nuk pranojmë të kthehemi pas dhe nuk pranojmë asgjë më pak se dinjitetin tonë të plotë”, tha Rexhepi.

Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës nuk deshën të përgjigjen për Televizionin Koha. Paraprakisht, nga Komuna e Tetovës kanë deklaruar se çështja edhe e emrave të shfuqizuar do të zgjidhjet me procesin i cili ka filluar në komunë tani e disa kohë, por pa dhënë ndonjë afat konkret, sipas tyre pritet që kjo të zgjidhet brenda këtij viti./Tv Koha/

Exit mobile version