Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore dhe përpunimi i të dhënave janë në vazhdim e sipër, ndërsa rezultatet do të publikohen jo më vonë se 11 korriku. Për të dytin vit radhazi, provimi i maturës u zhvillua në hapësira të mëdha, si amfiteatro, salla dhe korridore, me qëllim që procesi të jetë sa më objektiv.
Megjithatë, sipas drejtoreshës së Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovçevska Mihajllovska, gjatë sesionit të qershorit janë zbuluar rreth 60 nxënës që përdornin telefona celularë gjatë provimit.
“Rezultatet do të shpallen jo më vonë se 11 korriku, pra një muaj pas provimit të fundit ekstern. Sesioni i radhës i provimeve do të mbahet në gusht. Gjatë testimit në qershor, rreth 60 nxënës u kapën me telefona celularë dhe u larguan nga provimi. Testet e tyre janë anuluar, që do të thotë se janë vlerësuar me notën një. Nëse nuk kanë pasur sjellje të papërshtatshme ndaj testuesve ose vëzhguesve, do të kenë mundësi ta japin provimin në gusht. Në të kundërtën, do t’u ndalohet pjesëmarrja në afatin e gushtit dhe do të mund ta japin provimin vetëm vitin e ardhshëm”, deklaroi Jovçevska Mihajllovska për Meta.
Më 6 qershor, maturantët iu nënshtruan provimeve nga gjuha angleze, gjermane, franceze, italiane ose ruse, si dhe matematikë, varësisht nga zgjedhja e tyre. Ndërkaq, provimi i dytë ekstern në gjuhën amtare u mbajt më 11 dhe 12 qershor.
Këtë vit, Matura Shtetërore, Matura Profesionale Shtetërore dhe Matura Artistike Shtetërore po zhvillohen sipas një koncepti të ri, me programe të modifikuara për nxënësit e arsimit profesional dhe artistik. Ndryshe nga vitet e kaluara, testet nuk janë të njëjta për të gjithë nxënësit, pasi për herë të parë provimet po zhvillohen sipas kurrikulave të veçanta për arsimin e përgjithshëm, profesional dhe artistik.
Tre vjet më parë, rreth 3.100 nxënës u kapën duke kopjuar në provimin e gjuhës angleze. Kjo u konstatua nga vlerësuesit gjatë procesit të kontrollimit të testeve.
“Ata përdorën plagjiaturë nga faqe të ndryshme interneti dhe u identifikuan përmes krahasimit të eseve. Esetë e kopjuara u vlerësuan me zero pikë. Megjithatë, testi përmbante edhe pyetje me alternativa dhe detyra të tjera që vlerësoheshin. Nxënësit që nuk e kaluan provimin kishin të drejtë ta përsërisnin atë në afatin e gushtit”, kishte deklaruar atëherë drejtoresha e QSHP-së, Bllagica Pavllovska.
Matura Shtetërore mbetet kusht për regjistrim në fakultet. Nxënësit që kalojnë Maturën Profesionale Shtetërore do të mund të regjistrohen në programe profesionale përkatëse, ndërsa ata që përfundojnë Maturën Artistike Shtetërore do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet në fushat profesionale artistike.
