Për dy mijë e dyzet e pesë grantet e ndara për vetëpunësim, interesimi i qytetarëve mbetet jashtëzakonisht i lartë. Vetëm gjatë javës së kaluar, në Agjencinë për Punësim kanë aplikuar mbi 2800 persona, ndërsa rreth 500 prej tyre vetëm në Tetovë. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili e ndoqi situatën nga afër, deklaroi se po monitorohen radhët e gjata të qytetarëve që presin për të aplikuar. Ai siguroi se nëse interesi vazhdon të jetë i këtij niveli, dikasteri që ai udhëheq do të shqyrtojë edhe mundësinë e shtyrjes së afatit.
BESAR DURMISHI – Ministër i Ekonomisë dhe Punës
“Pashë nga afër të gjithë qytetarët të cilët janë në radhë dhe presin për të aplikuar. Duhet të informoj opinionin që interesimi është tepër i madh për këto tri masa — masat e vetëpunësimit. Sipas informacioneve që kam, vetëm në javën e kaluar numri ka arritur në mbi 2800 aplikime. Po ashtu, me këtë tempo po vazhdohet edhe në këtë javë. Interesimi është tepër i madh dhe normalisht që ka pasur radhë ku kanë pritur qytetarët. Por, në komunikim me drejtorin e Agjencisë për Punësim në nivel qendror në Shkup, si dhe me udhëheqësin e Agjencisë së Punësimit këtu në Tetovë, kemi biseduar që t’u japim mundësi të gjithë qytetarëve e të krijohen kushte që të gjithë të mund të aplikojnë.”
Për të shmangur pritjet e gjata dhe grumbullimet përpara sporteleve, institucionet kanë marrë masa të menjëhershme. Udhëheqësi i njësisë rajonale të Agjencisë për Punësim në Tetovë, Nehat Osmani, konfirmoi se nga dita e sotme është rritur numri i zyrtarëve dhe sporteleve që pranojnë palët, duke lehtësuar kështu të gjithë procesin.
NEHAT OSMANI – Udhëheqës i Njësisë Rajonale në Tetovë
“Sistemi i aplikimit këtë radhë dhe këtë vit është pak më ndryshe, pasi ka rregullore të reja. Po unë mendoj se radhët kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë edhe në të ardhmen, kjo është diçka normale. Aq sa po shoh edhe vetë, qytetarët po mbajnë rend, do të thotë ekziston rregulli. Normale që nuk mund të vijnë dhe të aplikojnë të gjithë menjëherë, ndaj e ndajnë kohën.Nga sa shoh unë, procesi po kalon mirë dhe është në rregull. Mund lirshëm t’i pyetni edhe qytetarët ose ta shihni vetë gjendjen, gjithçka po shkon siç duhet. Prej sot kemi kapacitete më të mëdha, pasi kemi kthyer edhe shumë të punësuar nëpër vende të punës për çdo gjë, me qëllim që procesi të mbarëvajë ashtu siç duhet.”
Pavarësisht ndryshimeve në rregulloren e re të aplikimit, autoritetet sigurojnë se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa e dorëzuar dokumentacionin e tij. Ditët në vijim pritet të tregojnë nëse fluksi i aplikimeve do të sjellë zyrtarisht shtyrjen e afatit përfundimtar për këto grante të vetëpunësimit./Tv Koha/
