Site icon Tetova Expres

KF SHKËNDIJA PËRFUNDOI PËRGATIJET NË SLLOVENI

Shkëndija me ndeshjen e katërt kontrolluese në Slloveni zyrtarisht ka përfunduar  fazën  kryesore të  përgatitjeve  për   garat  ndërkombëtare  si dhe  për  kampionatin e ri  në Ligën e pare. Kuqezinjtë barazuan 2:2 përballë ekipit ukrainas Zorya Luhansk. Pas  kësaj ndeshje  ekipi  është  kthyer  në Tetovë  ku  do të vazhdon me  punë. 

Klubi i futbollit  Shkëndija me përballjen ndaj Zorya Luhansk kanë mbyllur fazën kryesore përgatitore në Slloveni, përpara ndeshjeve eliminatore të UEFA Konferencë Liga.

Ekipi kuqezi zhvilloi një takim shumë pozitiv, që u mbyll me rezultat 2:2, ndërsa ekipi tregoi elemente të mira në lojë dhe dha sinjale inkurajuese.

Në prononcimin e tij të parë pas përfundimit të këtij cikli stërvitor, trajneri Pollozhani u shpreh i kënaqur me progresin e treguar nga futbollistët, pavarësisht ngarkesave fizike.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme, pasi përballeshim me një kundërshtar të nivelit të lartë. Në këtë fazë përgatitore patjetër që edhe lodhja e ngarkesa e kanë bërë të vetën, por ishte një test pozitiv para asaj që na pret në Kupat e Evropës. Me rikthimin e freskisë, automatizmi i lëvizjeve do të jetë akoma më i shpejtë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur” – deklaroi trajneri Artim Pollozhani.

Advertisement

Në katër ndeshjet  kontrolluese Shkëndija regjistroi një fitore një barazime dhe dy disfata. Edhe pse rezultatet në miqësore nuk janë parësore, trajneri  Artim Pollozhani nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një mentaliteti fitues dhe implementimit të ideve të reja taktike.

 “Kemi luajtur me kundërshtarë shumë të fortë. Ajo që duam të implementojmë gradualisht po merr formë. Rezultatet nuk janë në plan të parë në miqësore, por mentaliteti fitues duhet të futet në ekip sepse është i rëndësishëm. Koncepti i lojës do kohë dhe seanca stërvitore që lëvizjet të bëhen me një marsh tjetër,” tha Pollozhani.

Skuadra tashmë është kthyer në Tetovë për të kryer përgatitjet e fundit para ndeshjes zyrtare të parë në skenën ndërkombëtare më 9 korrik kundër Europa FC në Gjibraltar.

 Shaban Sinani – TV Koha
Exit mobile version