Klubi i futbollit “Kamjani” nga dita e djeshmi zyrtarisht nisi përgatitjet për sezonin e ri në Ligën e dytë të futbollit. Ekipi do të drejtohet nga trajneri Burhan Emurllai me ndihmësit Bekim Ziberi dhe Sulejman Ibishi dhe me shumë përforcime. Të gjitha fazat përgatitore dhe ndeshjet kontrolluese do të zhvillohen në stadiumin e Kamjanit.
KF “Kamjani” në kampionatin 2026/2027 do të garojë në Ligën e Dytë të futbollit vendor, kurse nga dita e djeshme nisi përgatitjet intensive nën drejtimin e shefit të ri të stafit teknik Burhan Emurllai I cili do ta drejtojë ekipin së bashku me ndihmësin e tij Bekim Ziberin dhe trajnerin e portierëve Sulejman Ibishin.
Në grumbullimin e parë të pranishëm ishin edhe drejtuesit e klubit, ku futbollistët u njoftuan me itinerarin e përgatitjeve kurse më pas nisën edhe seancat stërvitore.
Trajneri Emurllai për TV Koha tha se të gjitha fazat përgatitore do të zhvillohen në stadiumin e Kamjanit ku ka kushte adekuate për të arritur objektivat.
“Qëllimet janë të përfaqësohemi sa më denjësisht në Ligën e dytë dhe të ndërtojmë një ekip të re, një ekip që do të kënaq futbollin e Pollogut. Kemi mjaft kualitet, mjaft djem të talentuar në ekip . Mbetet që të përgatitemi mirë, kemi planifikuar 4-5 ndeshje kontrolluese, që do të filtrojnë disa gjëra rreth ekipit që të hymë në kampionat sa më të përgatitur dhe me a më pak pikëpyetje . Pikë së pari ju dëshiroj futbollistëve atyre që janë të rinj mirëseardhje në ekip dhe sa më shumë shëndet dhe shumë punë” deklaroi trajneri Burhan Emurllai
KF “Kamjani” në merkaton e kësaj vere deri tani ka sjellë disa përforcime por ditëve në vijim pritet të vijnë edhe dy-tre prurje tjera. Njëri nga prurjet më me përvojë është Arsim Lamallari.
“Prej sot fillojmë përgatitjet me Kamjanin, jemi ekip e re në Ligën e dytë të inkuadruar sivjet. E kemi shpresën të shkojë gjithçka siç është më mire. Klubi ka ambicie të mira, por realisht qëllimi është mbijetesa në Ligën e dytë, por nëse na jepet mundësia të shkojmë më lartë, do shkojmë pse jo” deklaroi futbollisti Arsim Lamallari.
Futbollisti Huzri Xhemaili, i cili ishte pjesë e ekipit që shënoi suksesin historik, uroi që të mos ketë lëndime në mesin e futbollistëve, të sigurohet mbijetesa në Ligën e Dytë, por nëse jepet mundësia, të shfrytëzohet cdo shans për objektivat e skuadrës.
HUZRI XHEMAILI – Futbollist
“Sëpari uroj të gjithë futbollistët që të mos kenë lëndime dhe në bazë të afrimeve, transfereve së pari ta luftojmë mbijetesën. Por, rrugës nëse del ma mire, do ta luftojmë” deklaroi futbollisti Huzri Xhemaili
KF Kamjani ndeshjet kampionale do t`i zhvillojë në stadiumin e tyre ku ka kushte që të luajnë edhe me drita të reflektorëve.
