Barnat antikoagulante apo kundër mpiksjes së gjakut, Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban tashmë janë të disponueshme në farmaci, duke u mundësuar pacientëve qasje më të lehtë në terapi dhe kosto dukshëm më të ulëta, njoftoi drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë, Sasho Klekovski.
Sipas tij, barnat Enoxaparin dhe Nadroparin, të cilat deri më tani siguroheshin përmes rimbursimit, tani mund të tërhiqen drejtpërdrejt në farmaci me recetë të lëshuar nga mjeku specialist.
Pjesëmarrja e pacientëve për këto barna do të variojë nga 160 deri në 240 denarë, varësisht nga doza dhe paketimi, në vend të çmimit të deritanishëm prej 1.160 deri në 2.700 denarë.
Një nga markat do të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë, ndërsa për dy markat e tjera do të ketë bashkëpagesë.
Klekovski theksoi se, me kërkesë të qytetarëve, Fondi i Sigurimit Shëndetësor do të vazhdojë rimbursimin e këtyre dy barnave gjatë një periudhe kalimtare, deri më 15 korrik 2026.
Njëkohësisht, Rivaroxaban për herë të parë është përfshirë në listën pozitive të barnave. Për paketimin më të përdorur prej 30 tabletash nga 10 miligramë, i cili deri më tani kushtonte 2.228 denarë, pacientët tani do të paguajnë 160 denarë pjesëmarrje dhe 315 denarë bashkëpagesë, ose gjithsej 475 denarë.
Kjo nënkupton një kursim prej 1.752 denarësh.
Nga 1 janari 2027, Rivaroxaban do të jetë i disponueshëm vetëm me pjesëmarrje, pa bashkëpagesë shtesë.
Sipas Klekovskit, ulja e çmimit referues do të sjellë kursime jo vetëm për pacientët, por edhe për Fondin e Sigurimit Shëndetësor, ndërsa ai paralajmëroi edhe zgjerimin e mëtejshëm të listës pozitive të barnave.

