Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e deputetëve të Kuvendit të RMV-së në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Gashi kërkon sqarim të plotë dhe transparent nga autoritetet shqiptare, duke theksuar se deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe se çdo trajtim ndaj tyre duhet të jetë në përputhje me dinjitetin dhe funksionin që ushtrojnë.
“Si Kryetar i Kuvendit, shpreh shqetësimin për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës. Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit” – thuhet në reagimin e Kryeparlamentarit Afrim Gashi.
Ai shtoi se pret që rasti të sqarohet, në funksion të ruajtjes së besimit reciprok dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vllazërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent” – thotë Gashi.
Jo vetëm reagimin e Kuvendit, ndalesa e deputetëve shqiptarë në Kufirin me Shqipërinë ka provokuar edhe reagimin e deputetëve opozitarë në Shqipëri të cilët e kanë vlerësuar si të ulët dhe të panevojshëm gjestin e shtetit shqiptar.
