Site icon Tetova Expres

LSDM-ja BËN THIRRJE PËR UNITET DHE DEBAT BRENDA PARTISË

Komiteti Ekzekutiv i LSDM-së ka miratuar një konkluzion me të cilin u bën thirrje publike të gjithë individëve dhe grupeve që të zhvillojnë debat brenda partisë lidhur me, siç thonë ata, luftën kundër pushtetit kriminal të Hristijan Mickoskit.

Në kumtesën e publikuar pas mbledhjes së partisë thuhet se Komiteti Ekzekutiv vlerësoi se çdo debat që ka të bëjë me LSDM-në duhet të zhvillohet brenda partisë, përpara organeve dhe trupave të saj, e jo jashtë saj.

“Dyert e LSDM-së janë të hapura për secilin që ia do të mirën partisë dhe që ndan vlerat progresive. Vetëm përmes dialogut dhe ballafaqimit të argumenteve brenda partisë mund të zhvillohet debat, e jo përmes mediave apo iniciativave dhe platformave jashtëpartiake që i shkaktojnë dëm dhe e dobësojnë partinë nga brenda. Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë – LSDM po riorganizohet dhe po përgatitet për një luftë të fuqishme, të pakompromis dhe të organizuar kundër politikave të gabuara sociale, ekonomike dhe politike shkatërruese të VMRO-së, të cilat e shtyjnë shtetin drejt izolimit dhe qytetarët drejt varfërisë së thellë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga partia theksojnë se ka ardhur koha për bashkimin e radhëve, për guxim dhe për një luftë të vendosur kundër, siç e quajnë ata, pushtetit shpërdorues. Ata u bëjnë thirrje të gjithë socialdemokratëve dhe forcave progresive që të qëndrojnë “krah për krah”.

Këto përfundime të Komitetit Ekzekutiv dhe thirrja për unitet vijnë pas disa ditësh reagimesh dhe akuzash ndaj pjesëmarrësve në iniciativën “Biseda për të Ardhmen 12:05”.

Advertisement

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në disa raste e ka kritikuar këtë iniciativë, duke e vlerësuar si përpjekje për ta minuar partinë.

Ai e quajti atë “Projekti ZNAM 2.0 – platforma për të ardhmen e Mickoskit”.

Sipas Filipçes, përplasjet e brendshme në LSDM po ndodhin në një moment jashtëzakonisht të papërshtatshëm, kur partia po kalon një proces të vështirë të rindërtimit të organizatave komunale dhe organeve partiake pas humbjes së rëndë në zgjedhje.

Exit mobile version