Site icon Tetova Expres

MPB: “ONE STOP SHOP” SË SHPEJTI ME SHQIPËRINË!

Kontrollet e përbashkëta kufitare “One Stop” tashmë funksionojnë në pikat kufitare me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë do të përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi modern me të gjithë fqinjët që nuk janë pjesë e zonës Shengen, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB bëjnë të ditur se tashmë është ulur koha e pritjes në pikat kufitare ku ky sistem është në funksion.

“Rezultatet tashmë janë të dukshme. Në Tabanoc, edhe pse këtë verë numri i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind, koha e pritjes është ulur ndjeshëm. Të njëjtën gjë e mundësuam edhe në Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa me vënien në funksion të sistemit në Jazhincë – Glloboçicë e përmbyllëm zbatimin e kontrolleve të përbashkëta me Republikën e Kosovës”, thuhet nga MPB.

Me zbatimin e sistemit “One Stop”, qytetarët përfitojnë një ndalesë të vetme, një kontroll të vetëm kufitar dhe kohë dukshëm më të shkurtër pritjeje.

Zbatimi i sistemit “One Stop Shop” fillimisht do të nisë në pikën kufitare Qafë Thanë, ndërsa më pas do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.

Advertisement

Më 16 qershor, Qeveria njoftoi se kishte miratuar vendosjen në funksion të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Republikën e Shqipërisë.

Nevoja për një zgjidhje të tillë, sipas Qeverisë, dëshmohet më së miri nga fluksi i madh i udhëtarëve në pikat kufitare me Shqipërinë.

Gjatë vitit 2025, në këto pika kufitare janë regjistruar gjithsej 4.581.724 udhëtarë, prej të cilëve 2.318.080 kanë kaluar nëpër pikën kufitare Qafë Thanë.

Exit mobile version