Autostrada Shkup–Bllacë është një nga ato projekte për të cilat qytetarët kanë dëgjuar shumë. Është premtuar në gjashtë palë zgjedhje, por ajo që panë për 16 vite ishte fjalë dhe vetëm fjalë, thanë gjatë një press-konference nga VLEN. Sipas tyre, me VLEN-in në institucione, autostrada Shkup–Bllacë ka kaluar nga premtimi në realizim. Gjatë press-konferencës, në pika të shkurtra, u sqarua çfarë është bërë që ky projekt më në fund të jetësohet.
Segmenti i dytë i kësaj autostrade, me gjatësi rreth 10.5 kilometra, është një investim prej rreth 200 milionë eurosh. Financimi është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me mbështetje të Bashkimit Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Ky nuk është një projekt i zakonshëm rrugor. Trasa kalon në terren të vështirë malor dhe kërkon zgjidhje serioze inxhinierike. Në këtë segment parashihen pesë tunele të dyfishta, me gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura, galeri mbrojtëse dhe objekte të tjera mbështetëse, që do ta bëjnë këtë aks më të sigurt, të shpejtë dhe sigurisht më funksional.
Të nderuar,
Propaganda e mbajti autostradën Shkup–Bllacë zvarrë që nga viti 2008, por puna jonë e solli deri te financimi, kontrata dhe fillimi i realizimit.
Ashtu siç kemi thënë, për ne patriotizmi matet me punë, me projekte, me rrugë që ndërtohen dhe me qytetarë që fitojnë kushte më të mira për jetë.
Ne do ta ndjekim nga afër realizimin e këtij projekti, me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë, që punimet të zhvillohen sipas standardeve më të larta dhe brenda afateve të parapara.
E dimë se qytetarët janë lodhur duke dëgjuar për këtë autostradë. Tani është koha ta shohin duke u ndërtuar, u tha në press-konferencën e VLEN-it.
