Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë sot në Gostivar në takimin koordinues me kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut dhe institucionet kompetente, ku është diskutuar situata e furnizimit me ujë të pijshëm.
Kasami bëri të ditur se gjatë takimit janë informuar për gjendjen aktuale dhe masat që po ndërmerren për normalizimin e situatës. Ai theksoi se Komuna e Tetovës është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme për qytetarët e Gostivarit.
“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten prioritet. Vetëm me koordinim dhe bashkëpunim institucional mund ta tejkalojmë sa më shpejt këtë sfidë”, ka deklaruar Kasami.
Në fund, ai përcolli edhe një mesazh solidariteti për qytetin fqinj, duke theksuar se “Gostivari nuk është vetëm”.
