Site icon Tetova Expres

ÇARSHIA E SHKUPIT NIS TË FRYMOJË ME TINGUJT E FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË MUZIKËS

Sonte në Çarshinë e Shkupit, fillon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se festivali do të ketë program të larmishëm duke filluar nga muzika klasike, opera, flamengo po edhe zhanre të tjera.

Mexhiti zbuloi se qëllimi i Komunës është që ky festival të bëhet tradicional dhe të organizohet për çdo vit.

Çarshia e Vjetër ka qenë gjithmonë një vend takimi i kulturave, njerëzve dhe historisë. Pikërisht për këtë arsye besojmë se është vendi i duhur që edhe arti të marrë një rol më të madh në jetën publike dhe të krijojë një lidhje të natyrshme mes trashëgimisë sonë dhe krijimtarisë bashkëkohore. Ne besojmë se investimi në kulturë është po aq i rëndësishëm sa investimi në çdo fushë tjetër të zhvillimit të qytetit.

Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani tha se mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë nisma të këtilla. Sipas Sulejmanit, pas Verës Tetovare, Festivali Çarshia bën që vendbanimet shqiptare të frymojnë në ritmin e kulturës, artit dhe trashëgimisë tonë kombëtare.

Kjo ka një domethënije të veçantë për arsye se do të jetë edhe si urë lidhëse mes kulturës sonë tradicionale dhe asaj bashkëkohore. Unë si ministër i Kulturës dhe Turizmit do të jemë gjithmonë në përkrahje të iniciativave të kësaj natyre dhe shpresoj që gjithmonë bashkarisht kështu do të korrim suksese të mëdhaja.

Advertisement

Në organizimin e Festivalit “Çarshia” ka ndihmuar edhe Inva Mula, njëra nga sopranot shqiptare me famë ndërkombëtare e cila tha se me këtë festival hapet një rrugë e re e artit, dijes dhe bashkëpunimit të paqes. Njoftoi se në këtë festival do të ketë artistë shqiptarë dhe jo vetëm, sipas saj, do të ketë artist nga  Spasnja, Franca dhe jo vetëm.

Kjo them se është edhe do të thoja se është gjëja më e bukur që mund të ndodhi sot në Çarshi. Në këtë vënd që ju e thatë shum bukur, që flet me traditë, flet me një histori të lashtë dhe ne po përjetojmë, emocione dhe do të përjetojmë me artistët, e këto emocione të cilat janë të trashëguara dhe ne duhet t’i mbajmë të ndezura. 

Festivali do të zhvillohet në dy prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Çarshisë edhe atë në Suli Han dhe Kurshumli Han dhe nga sonte, i njejti do të zgjasë deri më 26 korrik. Tv Koha

Exit mobile version