Site icon Tetova Expres

GOSTIVAR: AUV – OPERATORËT E USHQIMIT RESPEKTUAN NDALIMIN E PËRDORIMIT TË UJIT!

Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari kanë realizuar 70 kontrolle të jashtëzakonshme në rajonin e Gostivarit, ku është konstatuar se operatorët e ushqimit e respektojnë ndalimin për përdorimin e ujit nga sistemi publik i ujësjellësit.

Njëkohësisht, inspektorët kanë evidentuar edhe parregullsi të tjera, për të cilat janë shqiptuar 30 gjoba në vlerë totale prej 7.750 eurosh në kundërvlerë me denarë.

Kontrollet përfshinë markete, kafene, piceri, furra buke, ëmbëltore, lokale sanduiçesh, qebaptore, prodhues dhe paketues të frutave e perimeve, si dhe operatorë të tjerë të ushqimit.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se te asnjë nga subjektet e kontrolluara nuk janë konstatuar shkelje të ndalimit për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit. Për përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit, si dhe për larjen e enëve, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, është përdorur ujë i ambalazhuar ose ujë tjetër i sigurt, ndërsa në objektet hotelierike mysafirët janë shërbyer me gota dhe mjete plastike ose prej letre.

Sipas rezultateve të djeshme të analizave të mostrave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), uji nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar ende nuk është i përshtatshëm për pije dhe as për përdorim teknik. Qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe, deri në njoftimin e radhës, të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë inaugurimit të pishinës së rikonstruktuar në Kavadar, se pret që deri në fund të kësaj jave Gostivari të ketë ujë teknikisht të rregullt, ndërsa në fund të javës së ardhshme ai të jetë i sigurt edhe për pije.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit për krizën shëndetësore në Gostivar kanë raportuar të paktën 30 media nga Franca, Italia, Rusia, Gjermania, Austria, Zvicra, Shqipëria, Malta, Kroacia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Ukraina, Azerbajxhani, Malajzia, Katari dhe vende të tjera, duke e bërë ngjarjen e Gostivarit lajm botëror./Tv Koha/

Exit mobile version