Site icon Tetova Expres

HELMIMET NË GOSTIVAR PO SHFRYTËZOHEN PËR POENË POLITIK!

Siç edhe pritej, çështja me helmimet në Gostivar po merr kahje politike. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ekipet e “Ujësjellësit” nga Shkupi po punojnë në Gostivar dhe se pas përfundimit të procesit të hiperklorimit të instalimeve në sistemin e ujësjellësit, pret që sot uji në Gostivar të shpallet “teknikisht i përdorshëm”.

“Pres sot, megjithëse rezultatet tashmë janë të mira, por pres sot dhe le të jemi konservatorë. Le të themi që nesër të publikohet një deklaratë se uji është teknikisht i përshtatshëm për përdorim, pasi është rregulluar në një kohë rekord prej një jave. Pra, çfarë mund të bëjmë ne si Qeveri, po e bëjmë. Dhe më habit që, ja, opozita ende nuk ka dalë me asnjë kritikë ndaj komunës dhe udhëheqjes që ata mbështetën gjatë zgjedhjeve lokale”, tha Mickoski.

Nga LSDM thotë se “Epidemi u shpall pesë ditë me vonesë dhe institucionet nuk e informuan publikun në kohë dhe nuk morën masa. Ndërsa qytetarët përfunduan në turma në ambulanca dhe spitale. Ministri Klekovski konfirmoi se kishte devijime në mostrat. Por paralajmërimi erdhi shumë vonë.” Ata ngrenë dyshime nëse duhet apo jo t’i besohet Mickoskit në lidhje me cilësinë e ujit dhe përdorimin e tij.

“Ky nuk është një dështim teknik, por një kolaps sistemik. Kur institucionet heshtin ndërsa mijëra njerëz po helmohen, atëherë nuk po flasim më për një gabim. Po flasim për qëndrimin ndaj qytetarëve. Përgjegjësia është e qartë. Pyetja e vetme është se kur dikush do ta marrë më në fund përsipër. Nga ana tjetër Mickoski thotë se që nga sot, uji teknik në Gostivar është i pastër. A i besoni atij?” pyet LSDM-ja.

Nga Aleanca për Shqiptarët vlerëson se situata e krijuar në Gostivar pas problemeve me furnizimin me ujë po shkon drejt normalizimit të plotë, falë angazhimit të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe mbështetjes së organizatave dhe të gjithë aktorëve të përfshirë.Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të mos e shfrytëzojnë situatën për përfitime politike në kurriz të qytetarëve.

Advertisement

“Nuk ndërtohet rejting politik mbi fatkeqësitë e dikujt tjetër. Në këtë moment, prioritet duhet të jetë tejkalimi i situatës dhe mbështetja e qytetarëve”, thuhet në reagim. Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon që të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë rast të përcaktohen përmes një procedure të drejtë, objektive dhe transparente.

Mbi 4,070 qytetarë në Gostivar kërkuan ndihmë mjekësore. Dje u regjistruan edhe 125 ekzaminime të personave me simptoma dhe një fëmijë u shtrua në spital./Tv Koha/ 

Exit mobile version