Pesë ndeshjet e xhiros së pare të sezonit të ri në Ligën e pare të futbollit vendor prodhuan pesë fitore të vendasve me 20 gola të shënuar prej të cilëve 19-të ekipet vendase dhe vetëm 1 gol për ekipet mysafire, një autogol dhe dy penalti një realizuar nga Bunjamin Shabani i Struga Trim Lum dhe një i humbur nga Besart Ibraimi i Shkëndijës.
Kuqezinjtë e nisin me fitore bindëse sezonin e ri në Ligën e parë, duke mposhtur Skopjen 3-0 me golat që i realizuan Ndzengue, Tamba dhe Rafa. Shkëndija dominoi lojën gjatë 90 minutave krijoi shumë raste por realizuan vetëm tre prej tyre. Besatrt Ibraimi në minutën e fundit të lojës nuk e realizoi 11 metërshin. Pas ndeshjes trajneri Pollozhani tha se është i kënaqur me rezultatin por jo edhe me lojën.
“Duke u bazuar te ndeshja, unë jam i kënaqur vetëm me rezultatin, sepse rezultati ishte fitorja jonë, por që unë mendoj që ne duhet të kemi qasje tjetër. Për vetë faktin që ne duhet të rrisim nivelin e vrapimit, duhet të rrisim nivelin me ritmin, sepse do na duhet pastaj edhe në kompeticionin tjetër, aty ku edhe jemi, në Kupat e Evropës. Nuk jam i kënaqur, pavarësisht kësaj që fituam me 3:0, por që qasja duhet të jetë akoma më në nivel të lartë, sepse në momentin që ne nuk kemi ritëm, në momentin që ne futemi te ritmi i kundërshtarit, ajo do na bëjë dëm dhe vlerësoj se kjo është e patjetërsueshme. Nuk ka shanse që ne të futemi te ritmi i kundërshtarit. Pra, kjo është ajo që ne do kërkojmë ose ne do tentojmë që ta arrijmë tek ajo pjesa jonë. Duke i pasur vështirësitë e ndeshjes së parë, duke i pasur vështirësitë e asaj që nuk kishim shumë kohë për ta analizuar kundërshtarin, sepse vjen nga një kategori më poshtë edhe nuk është se kishte miqësore që ti të dalësh me një konkluzion që si luan kundërshtari, dhe kjo sjell vështirësitë e veta. Por ajo që është me rëndësi është trepikëshi, por jo në këtë mënyrë” deklaroi trajneri Artim Pollozhani
Po dje fitore të thellë me rezultat 6 me 0 ka regjistruar edhe Sileksi në përballjen me Bashkimin e Kumanovës. Kjo fiasko e kumanovarëve ndoshta edhe është pritur pasi ekipi me përgatitje ka filluar vetëm disa ditë para fillimit të sezonit të ri.
Struga Trim Lum sezonin e ri e nisi me fitore të sigurt, pasi mposhti debutuesin në elitën e futbollit vendor Shkëndijën e Haraçinës 3-0. Në këtë ndeshje futbollisti Bunjamin Shabani luajti ndeshjen e 200 për ekipin Struga Trim Lum. Me këtë rast klubi e nderoi me një fanellë speciale me numrin 200.
Kampioni në fuqi ekipi i Vardarit shënoi fitore 2-0 kundër Bregallnicës.
Në ndeshjen hapëse të premten Tikveshi mundi Arsimin 5 me 1. Java e dytë e sezonit vjeshtor luhet më 8 dhe 9 gusht.

