Site icon Tetova Expres

Klekovski: 71 raste të reja në Gostivar, shifër brenda incidencës para shpalljes së epidemisë

Janë regjistruar 71 raste të reja në kontaktin e parë, shifër që është brenda incidencës së regjistruar para shpalljes së epidemisë, përkatësisht mes 50 dhe 100 rasteve në ditë, theksoi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke folur për gjendjen epidemiologjike në Gostivar gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Portalb.mk.

“Vlerësojmë se epidemia po qetësohet. Përfundimi formal i epidemisë mund të shpallet vetëm kur, në bazë të anketave epidemiologjike, do të konstatohet se nuk ka më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit në Gostivar. Mendoj se ky përmirësim është rezultat i përmirësimit të cilësisë së ujit në ujësjellësin e qytetit, pasi prej disa ditësh ai klorifikohet në mënyrë adekuate. Natyrisht, presim që kjo shifër të ulet sapo të arrihet niveli i duhur i klorit rezidual në të gjitha pikat matëse”, tha Klekovski.

Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Advertisement

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

Exit mobile version