Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore në botë për vitin 2025, për Maqedoninë thuhet se autoritetet po bëjnë përpjekje të konsiderueshme, hetime, identifikim të viktimave dhe procedura të reja operative, por vendi ende nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore.
Në raport thuhet se janë dënuar më pak trafikantë me qenie njerëzore, ndërsa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThNKOK) nuk kishte burime të mjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha rastet nën juridiksionin e saj.
Gjithashtu, Qeveria nuk ka ndarë mjete për ekipet mobile që çdo vit identifikojnë shumicën e viktimave të mundshme, pavarësisht angazhimeve të mëparshme për këtë çështje.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në vitin 2021 rreth 27.6 milionë njerëz në mbarë botën jetonin në kushte të skllavërisë moderne. Format më të zakonshme të shfrytëzimit mbeten puna e detyruar dhe shfrytëzimi seksual, por trafikimi me qenie njerëzore përfshin edhe martesat e detyruara, skllavërinë në amvisëri, rekrutimin e fëmijëve ushtarë dhe trafikimin e organeve.
Këshilli i Evropës paralajmëroi se viktimat në Maqedoni shpesh përballen me procedura të gjata gjyqësore dhe administrative, gjë që e vështirëson më tej riintegrimin e tyre në shoqëri. Si një dukuri veçanërisht shqetësuese përmendet edhe martesa e detyruar e vajzave të mitura, e cila në raste të caktuara përbën formë të trafikimit me qenie njerëzore.
Ndryshe, Dita Botërore Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore shënohet çdo vit më 30 korrik, ndërsa Kombet e Bashkuara këtë vit ia kushtojnë temës “Të bllokuar pas mashtrimit”, me fokus te rastet gjithnjë e më të shpeshta kur njerëzit joshen me oferta të rreme pune dhe më pas detyrohen të marrin pjesë në mashtrime online dhe forma të tjera të krimit kibernetik.
Kjo ditë botërore u themelua në vitin 2013 me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik për gjendjen e viktimave dhe promovimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
