Shumica parlamentare nuk e ka për qëllim të kontrabandojë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, thotë kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, duke ju përgjigjur kritikëve opozitarë të cilët e akuzojnë pushtetin për kontrabandim të këtij ligji.
Gashi thotë se shumica është e përkushtuar dhe po punon në çdo detaj të këtij ligj me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Nuk është ideja që të kontrabandohet diçka që ne e kemi filluar tashmë dy vite dhe po punojmë në mënyrë të detajuar, me prezencë dhe participim të ekspertëve të Komisionit të Venecias, ligji i sjellur në procedurë të rregullt me debat publik e me të gjitha këto nishane, askush nuk e ka idenë dhe qëllimin që ta kontrabandojë, përshkak se e githë kjo procedurë, gjithë kjo përgatitje për atë ligj, nuk mund të cilësohet në atë mënyrë”.
Ai tha se si kryetar Kuvendit tenton për çdo ditë të normalizojë komunikimin mes grupeve parlamentare për këtë dhe ligje të tjera. Gashi është i mendimit që ligji duhet të miratohet sepse bëhet fjalë për përfaqësim e drejtë që është edhe kategori kushtetuese.
“Në asnjë moment nuk kemi thënë se ligji është perfekt. Ai mund të ketë mangësi, por mangësitë po presupozohen apo po prejudikohen. Unë mendoj se duhet të kemi një ligj, sidomos për parimin kushtetues përfaqësim të drejtë dhe adekuat, shumë më mirë është të kemi një ligj, sesa mos të kemi fare”.
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i miratuar në Qeveri dhe që ka marrë edhe dritën jeshile të Komisionit të Venecias është në procedurë parlamentare, po i njëjti nuk është miratuar në Kuvend, përshkak të nevojës së votimit të dyfishtë. Ky ligj hyn për herë të parë në procedurë parlamentare që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001./Tv Koha – Shkup/
