Site icon Tetova Expres

KRIZA ME PATENTAT NË ITALI: MIJËRA SHTETAS TË RMV-së RREZIKOJNË TË MBESIN PA PUNË

Në Itali tashmë nuk njihen patentat e shoferit të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ekziston një marrëveshje për njohjen dhe zëvendësimin e ndërsjellë të tyre.

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali nuk mund ta zëvendësojnë më lejen e vozitjes me atë italiane dhe detyrohen t’i nënshtrohen sërish provimit për patentë.

Ky problem konfirmohet edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet se Maqedonia e Veriut ka marrëveshje me Italinë, por se “aktualisht në Republikën e Italisë nuk është e mundur zëvendësimi i patentave të shoferit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe po punohet për zgjidhjen e kësaj situate”.

Problemi me mosnjohjen dhe pamundësinë për zëvendësimin e patentave të Maqedonisë së Veriut në Itali po ndikon seriozisht te mërgimtarët, pasi disa prej tyre tashmë po humbin vendet e punës nëse puna e tyre varet nga drejtimi i automjeteve.

Njëri prej tyre është edhe Besir Esati nga Reçica e Madhe, i cili po përballet me vështirësi të shumta për shkak të kësaj procedure.

Advertisement

“Për momentin ne kemi problem me konvertimin, ta kthejmë patentën prej Maqedonisë ta bëjmë  të Italisë, ne që kemi ardhë kohëve të fundit, pasi Maqedonia e ndryshoi emrin. Italia thotë duhet të bëhet përditësimi, duhet të bëhet një marrëveshje me emrin e ri. Kur do të bëhet kjo nuk e dijmë. E thirrim Ambasadën nuk na jep asnjë ndihmë, asnjë lajm të na tregojë se kur do të bëhet konvertimi dhe marrëveshja e re”

Besir Esati për Tv Koha sqaroi edhe procedurën italiane lidhur me njohjen e patent shoferit të marrë në Maqedoninë e Veriut.

Unë për shembull jam dy vite në Itali, prej ditës së parë  pasi bëhesh rezident, ke kohë 1 vjet që ta drejtosh automjetin me leje të Maqedonisë. Pas një viti, nëse të zënë, për shembull mua më skadon pas një muaji dhe me më kap policia ma marrin automjetin, më shqiptojnë dënime. Problemi është se unë jam shofer autobusi. Unë duhet ta ndërroj edhe punën, duhet të gjej punë tjetër, se me cfarë do të udhëtoj në punë atje larg”

Ai thotë se janë mbi 4.000 shtetas të Maqedonisë së Veriut që përballen me këtë problem në Itali dhe të cilëve u rrezikohet edhe vendi i punës. U bën thirrje autoriteteve të vendit që urgjentisht ta zgjidhin këtë cështje.

Me këtë problem ka më shumë se 4 mijë. Nuk e di numrin e saktë, por janë mbi 4.000. Të ishte p.sh vetëm kategoria B ose C ndoshta do ta bëja nga fillimi, se kam problem për t`i bërë, por i kam të gjitha kategoritë dhe jam shofer autobusi këtu dhe duhet shumë kohë për t`i bërë, duhen termine kurse terminet në Itali janë shumë të gjata vecanërisht për shoferat e autobusëve. Bëj apel që ta bëjnë këtë marrëveshjen. Problemi është nga ana e Maqedonisë, ta bëjnë konvertimin pasi mbi 4.000 që jemi në Itali kemi të njëjtin hall. Isha në pushim në Maqedoni, jemi munduar që vet ta zgjidhim. I kam shkruajt edhe Ministrisë së Transportit por nuk më kanë kthyer përgjigje, vetëm tek ju mediat e kemi shpresën”

Advertisement

Sipas informacioneve të deritanishme, problemi qëndron në papajtueshmërinë teknike ndërmjet dy modeleve të patentave, pasi pala maqedonase ka shtuar kategori shtesë që nuk ekzistojnë në patentën evropiane.

Për këtë arsye, autoritetet italiane kanë kërkuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, gjë që nënkupton përsëritjen e plotë të procedurës për njohjen e dokumentit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme bëhet e ditur, se janë në fazën përfundimtare harmonizimet e Marrëveshjes për njohjen e patentave të shoferit ndërmjet dy shteteve, të cilat pritet të përfundojnë nga pala italiane.

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se ditëve të fundit janë përpjekur të marrin me qira një automjet me patentë nga Maqedonia e Veriut, por kompanitë italiane të rent-a-car u kanë bërë të ditur se prej disa muajsh kanë marrë udhëzim të mos japin automjete me qira nëse patenta nuk është lëshuar nga një vend i Bashkimit Evropian. Në këto raste, qytetarët duhet të kenë patentë ndërkombëtare për të marrë një automjet me qira./Tv Koha/

Advertisement
Exit mobile version