Site icon Tetova Expres

BDI: DËSHTIM SERIOZ I KËSAJ QEVERIE – HUMBIN 60.77 MILIONË EURO GRANT NGA BE-ja!

Përmes një press-konference, BDI është prononcuar, sic thonë, për një dështim serioz të kësaj qeverie – humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. BDI thotë se, sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend, këto fonde IPA nuk janë më të disponueshme sepse tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të përcaktuar.

“Për këtë arsye, BDI vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie krijojnë dyshime serioze për qasjen e saj ndaj projekteve strategjike euroatlantike. Zvarritja e Korridorit 8 dhe humbja e fondeve evropiane krijojnë përshtypjen se projektet me rëndësi për NATO-n dhe Bashkimin Evropian po lihen në plan të dytë. Sot kërkojmë përgjigje të qarta: Kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove? Pse nuk u përmbushën afatet për realizimin e projektit? A do të duhet tani që qytetarët ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian ishte i gatshëm ta financonte si grant? BDI do të vazhdojë të mbrojë orientimin euroatlantik të vendit dhe realizimin e Korridorit 8, sepse ky projekt nuk është pronë e asnjë partie politike. Është interes strategjik i shtetit dhe i qytetarëve. Ne e siguruam financimin. Ne e vendosëm Korridorin 8 në agjendën evropiane. Sot kërkojmë përgjegjësi për humbjen e një mundësie historike” – tha në press konferencë, ish-Zv/Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi.

Exit mobile version