Shkëndija me fitoren 3-1 kundër ekipit slloven NK Bravo në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues të UEFA Konferencë Liga siguroi kualifikim në raundin e tretë dhe sërish mbetet skuadra e vetme nga Maqedonia e Veriut që do të përfaqësojë vendin në garat Europiane. Në raundin e tretë kuqezinjtë do të përballen me skocezët e Hibernian.
Shkëndija siguroi kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të UEFA Konferencë Liga, pasi në stadiumin në Shkup mposhti Bravon e Sllovenisë me rezultat 3:1, duke përmbysur disavantazhin prej një goli 2:1 nga ndeshja e parë në Slloveni.
Kuqezinjtë dominuan takimin që nga minuta e parë, por ishin mysafirët ata që kaluan në epërsi në minutën e 17-të me golin e Jovan Stankoviqit. Shkëndija barazoi shifrat 1-1 në minutën e 36-të me autogolin e Jovan Gashper.
Në pjesën e dytë, Shkëndija nisi më fuqishëme përkrahur edhe denjësisht nga tifozët e pranishëm dhe sidomos pas inkuadrimit në lojë të Endrit Krasniqit dhe më pas edhe të Marko Gjorgjievskit vazhdoi me ritëm të lartë dhe në minutën e 50-të Almir Kryeziu realizoi me kokë pas asistimit të Tambës, duke përmbysur rezultatin në 2:1, ndërsa goli i kualifikimit erdhi në minutën e 88-të, kur Marko Gjorgjievski shënoi golin e parë me fanellën kuqezi dhe vulosi fitoren 3:1 dhe kualifikimin në raundin tjetër.
Pas këtij suksesi, trajneri Artim Pollozhani dha analizën e tij mbi lojën, manovrën taktike dhe qasjen e skuadrës.
“Unë mendoj që ishte një ndeshje e rëndësishme, por që e manovruar jashtëzakonisht mirë nga lojtarët tanë. Dhe për të duhet t’i përgëzoj lojtarët, sepse është merita e tyre. Nuk ishte e lehtë nga fakti që kishim një kundërshtar që mbyllet në bllokun e dytë edhe pret për tranzicione pozitive. Këtë armë të fortë të tyre unë mendoj që e eliminuam në aspektin e asaj që kishim tranzicione të forta negative, kështu që dolëm praktikisht tek ndeshja jonë edhe unë mendoj që kjo është meritë plotësisht e futbollistëve” deklaroi trajneri Artim Pollozhani
Trajneri ka falënderuar edhe mbi shtatë mijë tifozët e pranishëm në tribunat e stadiumit për përkrahjen dinjitoze duke u bërë pjesë e këtij suksesi të madh për simbolin e futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut
“Patjetër. Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që ishin të pranishëm sot, të gjithë ata që na mbështetën, patjetër edhe “Ballistët”, sepse ata unë i përmenda edhe dje, janë me ne në çdo ndeshje. Por edhe pjesa tjetër e publikut na ka mbështetur jashtëzakonisht shumë. Neve na mbetet t’ua kthejmë me ndeshje të bukura. Tani, çështja e këtyre biletave pa pagesë mendoj që nuk më takon mua, por them se klubi ka bërë një gjest të mrekullueshëm. Shpresoj që të vazhdojë, është kohë pushimesh, por që prezenca ishte e kënaqshme duke pasur parasysh që edhe është larg nga Tetova. Por unë e thashë edhe dje e përsëris edhe sot, që Shkëndija nuk ka tifozë vetëm në Tetovë, ka edhe në qytete të tjera tifozë” tha trajneri Pollozhani
Me këtë sukses, Shkëndija vazhdon rrugëtimin evropian dhe në raundin e tretë kualifikues të UEFA Konferencë Liga do të përballet me Hibernianin e Skocisë. Ndeshja e parë zhvillohet në Edinburg më 6 gusht, me fillim në ora 19:00 ndërsa ajo kthyese më 13 gusht në Shkup po me fillim në ora 19:00.
SHABAN SINANI – TV KOHA

