Site icon Tetova Expres

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 30 Korrik

Sot në orën 07:30, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 58-vjeçar nga fshati Raven i Gostivarit, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale të kryer “prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij dhe në hapësirat ndihmëse, të kryer në bazë të urdhrit gjyqësor, janë gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhur, marihuanë dhe fishekë pistolete. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë kallëzimi përkatës.

……Dje në DPB Gostivar është raportuar se në periudhën prej datës 29.07 në orën 22:00 deri në orën 09:40 të datës 30.07.2026, në një parkim në rrugën “Goce Delçev” në Gostivar, një plumb qorr nga një armë zjarri ka goditur çatinë e një automjeti të parkuar “Mercedes” me targa gjermane, në pronësi të një qytetari nga Gostivari. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa plumbi është marrë nga zyrtarët policorë për procedurë të mëtejshme. Është kryer këqyrja në vendngjarje dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje në orën 16:25 në SPB Tetovë, një 27 vjeçar nga Tetova ka raportuar se në rrugën “Dimo Gavrovski Kara” në Tetovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake për një vend parkimi, është sulmuar fizikisht nga një 54-vjeçar nga fshati Bogovinë e Tetovës. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

……Dje në orën 20:15 në fshatin Neproshten të Tetovës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Tearcë kanë privuar nga liria një 20-vjeçar nga fshati Xhepçisht, pasi tek ai është gjetur dhe konfiskuar marihuanë. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të dorëzohet parashtresë përkatëse.

……Dje në orën 20:30 në Stacionin Policor Gallatë, një 34-vjeçar nga fshati Vrapçisht i Gostivarit, ka raportuar se rreth orës 18:45 në fshat është sulmuar fizikisht nga fqinjë i tij. Po merren masa për zbardhjen e rastit.

Advertisement

……Pas mesnate në orën 02:20 në rrugën “18 Nëntori” në Gostivar, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria një 34-vjeçar nga Gostivari. Paraprakisht, bashkëshortja e tij 36-vjeçare ka raportuar se rreth orës 23:00, pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, e ka sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare dhe nga çanta e saj ka marrë para dhe çelësat e automjetit të saj dhe është larguar. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.

Exit mobile version