Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura në ditë. Falë ndërhyrjeve të shpejta të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të gjitha zjarret janë vënë me sukses nën kontroll dhe janë shuar. Reshjet e shiut gjatë periudhës së kaluar ndikuan në uljen e numrit të zjarreve dhe ngadalësuan përhapjen e tyre, njoftojnë nga DMSH-ja. Megjithatë, periudha me reshje ka përfunduar. Mjafton vetëm një shkëndijë! – thonë autoritetet.
Zjarri në Leshnicë të Tetovës është lokalizuar –thuhet në njoftimin në Facebook të Komandantit të Zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti, I cili thotë se në koordinim të plotë me të gjitha institucionet përgjegjëse, në terren intervenuan dy avionë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Tetovës, të cilat punuan pa ndërprerje dhe me përkushtim maksimal.
“U bëj apel të gjithë qytetarëve që gjatë ditëve në vijim të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarr në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo tym apo vatër zjarri në numrin emergjent 112” – thotë Avni Ameti.
Por, jo vetëm kaq!
Sipas tij, pas çdo zjarri që shuhet, fshihet një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
Zjarrfikësit përballen çdo ditë me rrezikun për të mbrojtur jetën, familjet dhe pronën e qytetarëve. Nuk është thjesht një profesion – është një mision që kërkon zemër, disiplinë dhe vendosmëri.
Shumica e zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk synojnë të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të ketë pasoja të rënda.
Prandaj bëhet thirrje që të mos hidhen bishta cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje.
-Mos ndizni zjarr apo skara në pyje dhe në vende me bimësi të thatë.
-Pastroni barin e tharë dhe shkurret rreth shtëpive dhe uikend-shtëpizave -dhe krijoni një brez mbrojtës.
-Mos digjni kashtën dhe kullotat. –
-Tregoni kujdes gjatë përdorimit të veglave që krijojnë shkëndija, si gurët prerës dhe aparatet e saldimit.
-Fermerët të jenë të kujdesshëm gjatë përdorimit të pajisjeve për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
U bëhet thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrin 112.
Raportoni persona që mbajnë lëndë të dyshimta të lëngshme, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose mjete e aktivitete të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.
Në kushtet e temperaturave jashtëzakonisht të larta kërkohet kujdes maksimal.
Një shkëndijë mund të shkaktojë një tragjedi të madhe!” – apelojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim./Tv Koha/
