Emërimi i Arben Fetait si i dërguar special në BE është një çështje legjitime për t’u diskutuar, deklaroi ministri i Jashtëm i RMV-së, Timço Mucunsk. Sipas tij, publiku meriton sqarime edhe për pretendimet se ish-zëvendëskryeministri, gjatë një periudhe të caktuar të mandatit, nuk paraqitej në punë, ndonëse merrte pagë.
“Fillimisht duhet të tregojmë hapur se kush është Arben Fetai. Shkollimin e ka kryer në Belgjikë dhe zotëron të gjitha gjuhët zyrtare të këtij shteti”, u shpreh ai.
Mucunski theksoi se Fetai, krahas njohjes së të gjitha gjuhëve zyrtare të Belgjikës, ka punuar dhe ka qenë i angazhuar në organizata të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare në Bruksel. Përmes kësaj përvoje, sipas tij, ai ka krijuar një rrjet kontaktesh që mund të vihet në funksion të interesave shtetërore.
Ai shtoi se Arben Fetai mban shtetësi të dyfishtë, atë të RMV-së dhe të Belgjikës. Në mungesë të shtetësisë së dyfishtë, sipas ministrit, Fetai ndoshta do të ishte kandidati ideal për ambasador të RMV-së në BE. Mucunski e përshkroi atë edhe si një bashkëpunëtor të shkëlqyer në Qeveri, duke nënvizuar se kritikat bëhen lehtë, por se diskutimi duhet të mbështetet në fakte.
“Për shkak të ritmit të aktiviteteve, kemi nevojë për një person atje. Gjatë kësaj periudhe të veçantë, ai do të jetë në shërbim të shtetit. Biografia e tij përputhet me profilin që kërkojmë për atë pozicion”, tha Mucunski.
