Një valë e nxehtë ajrore do ta mbajë Maqedoninë nën diell të fortë deri në fund të javës së ardhshme, ndërsa temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius. Periudha më kritike pritet të nisë nga e mërkura, 5 gusht, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregojnë të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.
Vendi hyn në një periudhë më të gjatë me mot me diell dhe shumë të nxehtë, ku aktivitetet e përditshme, lëvizja në qytet, puna jashtë, madje edhe qëndrimi i shkurtër në një automjet të mbyllur, mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin.
Sipas metereologëve sot temperaturat do të ngriten deri në 39 gradë Celsius. Megjithatë, kjo është vetëm fillimi i periudhës së vapës ekstreme.
Në temperatura shumë të larta, organizmi e ka më të vështirë të ruajë temperaturën normale të trupit. Kur temperatura e ajrit afrohet ose e tejkalon temperaturën e trupit të njeriut, ftohja natyrale vështirësohet, veçanërisht kur lagështia e ajrit është e lartë.
Prandaj, mos prisni të ndieni etje për të pirë ujë. Konsumoni lëngje rregullisht gjatë gjithë ditës.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe aktivitetet në ambiente të hapura të shmangen nga ora 11:00 deri në 17:00.
Vapa nuk ndikon njësoj tek të gjithë. Më të rrezikuarit janë: personat mbi 60 vjeç; gratë shtatzëna; foshnjat dhe fëmijët; të sëmurët kronikë; qytetarët në gjendje të rënduar sociale; personat me mbipeshë; punëtorët që kalojnë pjesën më të madhe të ditës në ambiente të hapura.
Punëtorët e ndërtimtarisë, bujqit, policët e trafikut, korrierët dhe të gjithë ata që punojnë nën diell janë ndër kategoritë më të ekspozuara.
Ditët në vijim do të kërkojnë ndryshim të ritmit të përditshëm: detyrat të kryhen herët në mëngjes ose në mbrëmje, aktivitetet fizike të kufizohen dhe një shishe me ujë të jetë pjesë e domosdoshme sa herë që dilni nga shtëpia.
Vapa nuk mund të shmanget, por pasojat e saj mund të parandalohen në masë të madhe me kujdes dhe respektimin e rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore./Tv Koha/
