Prej kur VLEN-i, si humbës u bë pjesë e qeverisë, “bota serbe” është më e pranishme se kurrë në Maqedoninë e Veriut – këtë e konfirmon për dy vite me radhë edhe Raporti i Parlamentit Evropian – thuhet në një reagim nga BDI-ja.
Sipas tyre, për dy vite me radhë, Raporti i Parlamentit Evropian evidenton shqetësimin për rritjen e ndikimit të “botës serbe” në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe apostrofon qartë promovimin e këtyre politikave nga përfaqësues të pushtetit.
Nuk është aspak rastësi që paralelisht me këtë ndikim po vazhdon edhe gërryerja sistematike e Marrëveshjes së Ohrit, përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe politikave të kësaj qeverie pa legjitimitet etnik, thonë nga BDI.
Faktet flasin vetë. Nga roli dhe ndikimi politik i Ivan Stoilkoviqit brenda qeverisë, deri te deklaratat e tij publike se ka “shpëtuar” përfaqësuesit e VLEN-it nga turpi politik; nga afrimi me strukturat politike të Milorad Dodikut, deri te kontratat në sektorin energjetik me kompani të lidhura me interesat e tij; nga zgjerimi i pranisë së kapitalit bankar serb në vend e deri te një sërë vendimesh institucionale që kanë krijuar hapësirë për forcimin e këtij ndikimi – të gjitha këto përbëjnë një mozaik që nuk mund të mohohet.
Kanë reaguar nga VLEN. Sipas tyre, BDI nuk e mbron kauzën shqiptare, por e mban peng.
VLEN përmes reagimit thotë se BDI-ja nuk mund t’ua falë shqiptarëve që e dërguan në opozitë, prandaj tani po u hakmerret duke e bllokuar Ligjin për përfaqësim të drejtë.
Shqiptarët nuk ua kanë borxh pushtetin e përjetshëm karrigexhinjve të Reçicës së Vogël. Nuk u kanë borxh a ministra, as drejtorë dhe as tenderë. Aq më pak ua kanë dhënë të drejtën që, vetëm pse mbetën pa kolltuqe, ta bllokojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe ta rrënojnë Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Plot 25 vjet e kishin edhe gurin, edhe arrën në dorë, por nuk u shkoi mendja që këtë të drejtë ta mbronin me ligj. Më të rëndësishme i kishin tenderët, pasurimin personal dhe pazaret e pista. Tani, kur dikush tjetër po e kryen punën, nga dëshpërimi kapen pas një fijeje kashte dhe kërcënojnë se do ta bllokojnë gjithë Kuvendin.
Sipas VLEN, Shqiptarët nuk janë plaçkë partiake e askujt dhe të drejtat e tyre nuk janë monedhë për kusure politike. Marrëveshja e Ohrit, sic thonë nga VLEN, nuk është tapi as e Ali Ahmetit dhe as e karrigexhinjve të tij të përjetshëm. Ajo u përket qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng për shkak të etjes së shfrenuar për pushtet, thuhet në reagimin e VLEN-it./Tv Koha/
