Vala e të nxehtit do të vazhdojë të përfshijë vendin edhe gjatë kësaj jave, ndërsa temperaturat jashtëzakonisht të larta do të mbeten të pranishme deri në fund të javës.
Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e valës shumë të nxehtë dhe të thatë ajrore, që vjen nga jugu, përkatësisht nga Afrika, gjatë periudhës 3 deri 9 gusht. Temperaturat më të larta priten nga e mërkura, 5 gusht, deri në fund të javës.
Do të vazhdojnë edhe të ashtuquajturat netë tropikale, që do të thotë se temperaturat do të mbeten shumë të larta edhe gjatë natës.
Nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë nga jugu, moti do të jetë kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta deri mesatare në disa zona. Temperaturat maksimale ditore kudo do të jenë mbi 33 gradë Celsius, ndërsa në disa pjesë të vendit do të kalojnë edhe 40 gradë.
Lehtësim nuk pritet as gjatë natës, pasi temperaturat do të mbeten të larta, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e vapës.
Një situatë e ngjashme pritet edhe në pjesën më të madhe të Evropës, ku vala e të nxehtit vazhdon të sjellë temperatura ekstreme, thatësirë dhe rrezik të shtuar nga zjarret pyjore. Më të prekura janë vendet e Evropës Jugore dhe Juglindore, ndërsa temperaturat e larta po vazhdojnë edhe në rajone të tjera të kontinentit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.
