Në Shqipëri, me urdhër të Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dy shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë shpallur non-grata në Shqipëri për 10 vite.
Sipas mediave shqiptare, Valon Bela dhe Bekir Halimi dyshohen se janë përfshirë në veprimtari të dyshimta ndaj shtetit shqiptar.
Gjithashtu për Valon Belan është lëshuar dhe një urdhër dëbimi nga Shqipëria.
Ky vendim i fundit është firmosur nga Lamallari, sic thonë mediat shqiptare, pas informacioneve të përcjella nga shërbimet informative të shtetit ku bëhet fjalë për lidhje të Valon Belas dhe Bekir Halimit me veprimtari që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për Shqipërinë.
Pas këtij vendimi, përmes rrjeteve sociale është prononcuar edhe Valon Bela. Gjatë një postimi në Facebook, ai thotë se “një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari”.
Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare.
Shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në ata “brenda” dhe “jashtë” kufirit shtetëror kur ka qenë fjala për idealet kombëtare. Ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve nuk mund të gjykohen vetëm me vendime administrative, sidomos kur mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe asnjë mandat politik nuk është i përjetshëm. Qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa historia mbetet. Ata që sot marrin vendime përjashtuese duhet të jenë të vetëdijshëm se do të gjykohen jo vetëm nga bashkëkohësit, por edhe nga brezat që do të vlerësojnë nëse kanë mbrojtur interesin kombëtar apo interesat e ditës. E sidomos kur një qeveri fyen rëndë Kosovën, pret me tepih të kuq Vuçiqin dhe malltreton e rrah brutalisht popullin e tij që mendon ndryshe.
Dinjiteti i një luftëtari nuk matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet, por me veprën që ka lënë pas dhe me respektin që gëzon në mesin e popullit, ndryshe nga qeveria aktuale që gëzon respekt vetëm nga foshnjëvrasësit. Dhe mu në sinkron të plotë, Rama & Vuçiq më fusin në listën e padëshiruarve. Kjo flet shumë! – shkruan Valon Bela në Facebook.
Në qershor, Lamallari shpalli ‘person të padëshiruar në Shqipëri’, Ikballe Huduti Berisha për një periudhë 15-vjeçare, pasi u bë pjesë e protestave në Tiranë. Huduti akuzohet për lidhje të forta me regjimin iranian ndërsa publike është bërë dhe një fotografi e saj krah ish-presidentit të Iranit Mahmud Ahmadinexhad.
