Site icon Tetova Expres

UEFA ME GODITJE TJETËR PËR INFANTINON – KAMPIONAT ALTERNATIV BOTËROR?!

Vazhdon përplasja mes UEFA-s dhe konfederatave të tjera kontinentale kundër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili synon të mbetet në krye të organizatës edhe pas zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

UEFA po përgatit një goditje të re ndaj Infantinos. Së bashku me konfederatat e tjera kontinentale, ajo ka paralajmëruar se mund të krijojë një kompeticion të ri ndërkombëtar për kombëtaret si kundërpërgjigje ndaj Kupës së Botës, nëse Infantino nuk heq dorë nga kandidatura për një mandat tjetër.

Kujtojmë se Infantino shkaktoi reagime të forta me planin për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës investitorëve privatë, por më pas u detyrua të tërhiqej nga kjo nismë.

Përveç kësaj, presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, së bashku me drejtuesit e CONCACAF-it dhe Konfederatës Aziatike të Futbollit, po kërkojnë dorëheqjen e Infantinos.

Sipas gazetës The Times, është krijuar një aleancë me synimin për ta larguar Infantinon dhe për ta “paralizuar FIFA-n”. Nëse ai këmbëngul të rikandidojë në zgjedhjet e marsit, aleanca po shqyrton organizimin e garave të veta ndërkombëtare.

Advertisement

UEFA tashmë ka një plan për një Ligë Globale të Kombeve, projekt i nisur që në vitin 2017, i cili do të konkurronte drejtpërdrejt me Kupën e Botës. Kundërshtarët e Infantinos po ashtu janë të gatshëm të bojkotojnë mbledhjet e Këshillit dhe komiteteve të FIFA-s, si dhe të refuzojnë ratifikimin e vendimeve të saj.

Sipas raportimit, Infantino ka siguruar mbështetjen e vetëm 15 nga 211 federatat anëtare të FIFA-s, pasi projekti i tij i diskutueshëm doli në publik.

Exit mobile version