Site icon Tetova Expres

Vazhdojnë hetimet për varrezat masive në Kosovë, në pritje të procesit të identifikimit

Pas zbulimit të mbetjeve mortore në dy lokacione në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, autoritetet e Kosovës kanë hyrë në fazën e identifikimit të viktimave. Deri më tani janë zhvarrosur mbetjet e 11 personave, nga dy loakcione në Kalludër të Zubin Potokut, ndërsa hetimet vazhdojn dhe dy persona tashmë janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte.
Që nga fillimi i gërmimeve, u ngritën dyshime se mbetjet mortore në këtë lokacion – që është ende duke u gërmuar – mund t’i takojnë një grupi të caktuar të shqiptarëve të zhdukur me forcë nga lufta e fundit.
Ky grup civil, i njohur si “grupi i intelektualëve”, është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Megjithatë, identiteti i tyre do të konfirmohet vetëm pas analizave të ADN-së.
Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore po kryejnë ekzaminimet forenzike, ndërsa hetimet në terren vazhdojnë për të përcaktuar nëse në zonë ka edhe mbetje të tjera njerëzore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se procesi i identifikimit mund të zgjasë, për shkak të procedurave laboratorike dhe krahasimit të mostrave të ADN-së me familjarët e personave të zhdukur.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 1.600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur që nga lufta në Kosovë,  ndërsa institucionet kanë paralajmëruar se kërkimet do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera nëse dalin prova të reja.
SANIJE DURAKU
Exit mobile version