Toshkovski luan rolin e ekspertit të ujit, ndërsa qytetarët e gostivarit helmohen dhe VMRO bën biznes. Në këtë mënyrë LSDM-ja ka adresuar kritika ndaj partisë në pushtet lidhur me situatën e krizës me ujin në Gostivar.
Sipas LSDM-së, mbi 50 vendbanime në vend kanë ujë të ndotur, ndërsa, siç pretendojnë ata, “patriotët e tenderëve” Mickoski dhe Klekovski e kanë helmuar të gjithë Maqedoninë.
LSDM e cilëson situatën si “kaos total” dhe “shpërbërje totale”, duke pretenduar se gjithçka bëhet vetëm për të shpëtuar një deklaratë të rreme të Mickoskit.
“LSDM kërkon që Prokuroria Publike të hapë menjëherë procedurë dhe të përcaktojë përgjegjësi penale për rrezikimin e vetëdijshëm të shëndetit të qytetarëve.Duhet të ketë përgjegjësi për Hristijan Mickoskin, Sasho Klekovskin dhe Pançe Toshkovskin. Bëhet fjalë për një marrëveshje biznesi prej 100.000 eurosh për furnizimin me ujë në Gostivar, pa tender dhe pa shpallje publike.”
Qeveria përmes një komunikate për media ka përgënjeshtruar, sic thonë, pretendimet e pavërteta të bëra sot nga Lidhja Socialdemokrate,duke I quajtur përpjekje për manipulimin e opinionit me dezinformata të pasakta dhe tërësisht të sajuara.
Qeveria, sic thuhet në komunikatë, mbetet konsekuente ndaj obligimit të marrë që qytetarët e Gostivarit do të furnizohen me ujë të sigurt për pije derisa ekspertët dhe institucionet kompetente të konfirmojnë zyrtarisht se uji nga sistemi i ujësjellësit është i rregullt për përdorim. Ky premtim përmbushet plotësisht dhe nuk do të vihet në pikëpyetje.
Sa i përket furnizimit me ujë të ambalazhuar, është e saktë se procedura me negocim është zhvilluar nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili siguron ujë falas për qytetarët, ndërsa kontratën përmes tenderit e ka fituar kompania „Kozhuvçanka“. Megjithatë, po ashtu është fakt se një shishe uji prej 1,5 litrash, e cila në shitjen me pakicë kushton të paktën 25 denarë, Qeveria e furnizon me çmim prej 12,5 denarësh. Kjo është e mundur sepse kompania „Kozhuvçanka“ merr pjesë në këtë furnizim me kontributin e saj, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve dhe institucioneve në kushtet e gjendjes së krizës”
Sipas Qeverisë, faktet janë të qarta dhe lehtësisht të verifikueshme, kurse I bëjnë thirrje LSDM-së që edhe kur nuk ndihmojnë në asnjë mënyrë, të paktën të ndalojë së gënjyeri në mënyrë të paskrupullt./Tv Koha/
